Tentuan ta “heqin qafe”, KPMSHCK e kthen në MPJD kryesindikalistin e diplomatëve

Diplomati i karrierës, Agron Maloku që u sistemua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë, është kthyer sërish në MPJD me vendim të KPMSHCK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka aprovuar ankesën e ish-kryetarit të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, Agron Maloku, i cili në mënyrë të kundërligjshme u transferua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Komisioni në kuadër të MPJD-së në shtator të viti të kaluar kishte vendosur Malokun në listën për transferim në një ministri tjetër. Me datë 10.11.2022 ai u transferua në Ministrinë e Shëndetësisë.

Demokracia.com e ka siguruar vendimin e KPMSHCK-së, i cili e ka shfuqizuar vendimin e MPB-së dhe MPJD-së.

“Shfuqizohet vendimi Nr.144/2022 i datës 10.11.2022 i Departamentit për Menaxhimin e zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshëm, ndërsa detyrohet Komisioni i Ristrukturimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të nxjerrë raporte meritore lidhur me sistemin e ankuesit në pajtim me legjislacionin në fuqi si dhe pikëpamjet juridike si në arsyetim të këtij vendimi. Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së që të marrë verimet e nevojshme administrative për zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh”, thuhet në vendim.