Tentoi t’i korruptojë Policët e Kosovës me 500 lekë, arrestohet burri nga Shqipëria

Në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Vermicë, është arrestuar shtetasi i Shqipërisë, i cili kishte tentuar t’i korruptojë policët e Kosovës me 500 lekë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur së është arrestuar burrë, shtetas i Shqipërisë i cili kishte tentuar që t’i korruptoj policët duke vendosur edhe një kartëmonedhë në shumë prej pesëqind (500) Lekëve në dokumentet për kontrollim.

“Në pikën kufitare gjatë kontrollit, i dyshuari mashkull Shqiptar i R. së Shqipërisë i cili drejtonte kamionin Scania me targa të Shqipërisë në momentin kur ishte ofruar te kabina e kontrollit policor i njëjti ka prezantuar dokumentet e kamionit , dokumentin identifikues te tij dhe në këto dokumente kishte vendosur edhe një kartëmonedhë në shumë prej pesëqind (500) Lekëve”, thuhet në raport.

Kur policia e ka pyetur se për çfarë i ka vendosur këto lekë në dokumente, i dyshuari raportohet se është përgjigjur se “këto janë për kafe për ju”.

“Për këtë arsye i dyshuari është shoqëruar brenda stacionit policor në PKK Vërmicë dhe në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar procedura për vepër penale dhe të njëjtit i janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e kamionit, dokumenti i udhëtimit si dhe kartëmonedha e lartcekur . I dyshuari është liruar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.