Tentim grabitje e armatosur në Prishtinë, policia jep detaje

Një tentim grabitje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e të martës në një institucion mikrofinanciar, në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. 

Ajo tha se i dyshuari ka shtënë me një armë me gaz, duke ikur nga objekti dhe se në këtë rast është lënduar një person, i cili ka pësuar vetëm gërvishje. 

Policia ka dalë në vendin dhe nga hetimi preliminar ka ngritur versionin se nuk është arritur  të kryehet grabitja, ndërkaq i dyshuari në ikje e sipër ka shkrepur armën me gaz dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Lëndime (gërvishje) nga kontakti fizik me të dyshuarin ka pësuar ankuesi”, tha ajo pë Sinjalin.

Ahmeti bëri të ditur se Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.