Margarita Assenova

Tensionet në Ballkan, fronti i dytë i Rusisë për të shmangur vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina

Nga Margarita Assenova, “Jamestown Foundations”

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e ka nxitur NATO-n dhe Bashkimin Evropian të shqyrtojnë dobësitë aktuale të sigurisë në Evropë, dhe të gjejnë një mënyrë për t’i riparuar ato. Një nga fushat kryesore të fokusit ka qenë Ballkani.

Tre probleme të pazgjidhura sigurie, e mundojnë aktualisht këtë rajon ende të prirur ndaj konfliktit: vetoja e Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, e cila ndikon indirekt edhe mbi Shqipërinë; marrëdhëniet e pazgjidhura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; dhe kërcënimin e ndarjes së Bosnje-Hercegovinës, nëse entiteti serb tërhiqet nga institucionet federale, sikurse ka paralajmëruar.

Një përpjekje e presidencës franceze të Këshillit të BE-së për ta zgjidhur mosmarrëveshjen midis Sofies dhe Shkupit muajin e kaluar rezultoi mbrapsht, duke çuar në protesta të dhunshme në kryeqytetin maqedonas që nga data 2 korrik.

Kompromisi i propozuar nga Parisi, do të hiqte bllokadën e Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, por nga ana tjetër do të impononte ndryshime kushtetuese dhe plotësimin e disa kushteve të tjera, të cilat shumica e qytetarëve maqedonas i shohin si tradhti të identitetit të tyre kombëtar.

Një sondazh i ditëve të fundit zbuloi se 56 për qind e të anketuarve (dhe 72.8 për qind e maqedonasve etnikë të intervistuar) nuk pranojnë fillimin e negociatave me BE-në, me koston që Maqedonia e Veriut të bjerë dakord me “propozimin francez”.

Si një anëtare e BE-së, Bullgaria ka të drejtën e vetos për pranimin e shteteve të reja, të cilën qeveria e mëparshme e Bojko Borisov e përdori në nëntorin e vitit 2020. Kundërshtimet e Sofjes lidhen kryesisht me prezantimet e ngjarjeve dhe figurave historike, për të cilat të dyja vendet pretendojnë se i përkasin së kaluarës së tyre historike, raporton abcnews.al.

Përveç kësaj, Bullgaria refuzon ta njohë gjuhën maqedonase si plotësisht të ndarë nga bullgarishtja. Në thelb, propozimi francez përfshin zyrtarisht mosmarrëveshjet dypalëshe mbi historinë, identitetin dhe gjuhën në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, gjë që është e paprecedentë në historinë e unionit.

Kur Greqia hoqi më në fund dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimin në BE dhe NATO të fqinjit të saj verior, kjo u arritur përmes një marrëveshjeje dypalëshe (Marrëveshja e Prespës), që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut.

Edhe pse Marrëveshja e Prespës përmban shumë ndryshime kulturore, arsimore dhe gjuhësore, të cilat Shkupi pranoi t’i kryejë, asnjë mekanizëm monitorues nuk do ta kushtëzonte procesin e integrimit euroatlantik të vendit. Ndërkohë, kur parlamenti bullgar hoqi më 24 qershor veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, këmbënguli se fqinjësia e mirë do të mbetet një kriter bazë gjatë gjithë negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Qeveria paraqiti më 8 korrik në parlamentin e Maqedonisë së Veriut tekstin përfundimtar të propozimit francez. Ndërkohë, partia opozitare VMRO-DPMNE synon të vazhdojë protestat, të cilat deri më tani kanë shkaktuar plagosjen e 47 policëve.

Por objektivi i vërtetë i opozitës janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, teksa ajo po e sheh popullaritetin në rënie të partisë kryesore në pushtet. Sondazhet sugjerojnë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë muaj, Partia Social Demokratike (SDSM) në pushtet do të merrte rreth 16 për qind të votave, ndërkohë opozita do të merrte 22 për qind.

Megjithatë, mbi 41 për qind e qytetarëve maqedonas janë të pavendosur, dhe nuk e dinë se për cilën parti do të votojnë apo refuzojnë ta thonë, gjë që flet për konfuzionin dhe zhgënjimin e madh të opinionit publik. Mundësia e një vonese tjetër në anëtarësimin në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë (që të dyja pjesë të një procesi) ka shkaktuar jo pak zemërim në rajon, raporton abcnews.al.

Këto vende ballkanike po presin prej përkatësisht 17 dhe 8 vjet për çeljen e negociatave. Pasi Greqia hoqi veton e saj, presidenti francez Emmanuel Macron vendosi veton e tij ndaj bisedimeve të pranimit në tetorin e vitit 2019. Më pas Bullgaria vendosi veton e saj vitin e ardhshëm.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri thirrje qeverisë maqedonase të pranojë propozimin francez, si shansin e vetëm për të nisur menjëherë negociatat për të dyja shtetet. Dështimi

për të pranuar marrëveshjen e propozuar, sado e mangët të jetë, mund të çojë në tensione ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, ku popullata shqiptare po bëhet gjithnjë e më e shqetësuar nga mungesa e progresit në anëtarësimin në BE.

Shqiptarët përbëjnë afro 25 për qind të popullsisë, dhe nuk kanë lidhje me identitetin kombëtar dhe ndjenjat gjuhësore të maqedonasve. Një ngërç i zgjatur i integrimit në BE, dhe një krizë e re politike nëse bie qeveria, mund të rrisë aspiratat separatiste tek pakica shqiptare dhe ta kërcënojë vendin me ndarje.

Përleshjet ndëretnike ndodhën tashmë në Shkup më 7 korrik. Policia ndërhyri për të ndalur përleshjet mes maqedonasve etnikë protestues, dhe një grupi shqiptarësh. Midis tyre pati hedhje gurësh dhe sendesh të tjera të forta në hyrje të Çarshisë së Vjetër në Shkup.

Policia arrestoi në vendngjarje edhe një person të armatosur. Incidenti shkaktoi akuza të ndërsjella midis partive politike maqedonase në pushtet dhe opozitë, por edhe në mesin e partive shqiptare të lidhura me secilën prej tyre – Unioni Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës, dhe Aleanca e Shqiptarëve, aleate e VMRO-DPMNE.

Polarizimi i zjarrtë politik dhe partitë politike të krijuara përgjatë vijave etnike, janë dy karakteristika kryesore të politikës maqedonase. Edhe pse secila nga dy partitë dominuese maqedonase ka aleatët e saj shqiptarë (dhe ndonjëherë ato ndryshojnë kamp), ndarja etnike në politikë tregon një problem më të madh me ndarjen në shoqëri.

Shtyrja e mëtejshme e anëtarësimit në BE për këto vende, do të hapë më shumë mundësi për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan. Kremlini i ka përdorur mosmarrëveshjet lokale për të nxitur konflikte, duke shfrytëzuar ndarjet dhe rivalitetet etnike, duke nxitur udhëheqësit lokalë përmes krijimit të marrëdhënieve të veçanta me ta dhe marrëveshjeve fitimprurëse, raporton abcnews.al.

Mbi të gjitha, Rusia e ka shfrytëzuar korrupsionin si një strategji për të ndikuar në vendimet e politikave lokale. Analistët e shohin organizatoren kryesor të protestave, partinë VMRO-DPMNE, si një parti pro-ruse dhe pro-serbe që ka një qasje anti-evropiane me qëllimin e vetëm rikthimin në pushtet.

Edhe pse ndodhet aktualisht në një pozitë shumë më të dobët, pasi përballet me rezistencën e ashpër ushtarake të ukrainasve, dhe po i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska mund të nxisë dhe ta përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë, për të shkëputur vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.