Tensione pas ndeshjes Prishtina-Trepça ‘89, Abedin Zeka shpërthen ndaj gjyqtarëve VIDEO

Tensione në përfundim të ndeshjes Prishtina-Trepça ‘89, me kryetarin e mysafirëve, Abedin Zeka, që drejtoi gishtin kah treshja e gjyqtarëve pas vërshëllimës së fundit.

Numri një i mitrovicasve zbriti në fushë në përfundim të takimit dhe fillimisht pati një diskutim me trajnerin Shpëtim Idrizi, raporton Gazeta Olle nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Zeka priti treshen e gjyqtarëve të cilët po i afroheshin tunellit.

Ai iu drejtoi gishtin dhe i akuzoi me tone të ashpra, por ishte e pamundur të kuptoheshin fjalët që iu tha.

Mitrovicasit u ankuan që goli i fitores i Prishtinës u shënua nga pozita jashtë loje.

Gjithsesi nga ajo që u pa në fushë për 90 minuta, Prishtina e meritoi fitoren pasi që lëshoi shumë raste për dyfishimin e epërsisë deri në fund, ani pse në minutat shtesë edhe 89-shi pati një rast ideal për të gjetur golin e barazimit.

Me këtë fitore, prishtinasit i afrohen kreut ndërsa mitrovicasve iu afrohet Flamurtari nga “zona e kuqe”.

Trajneri Shpëtim Idrizi tha pas ndeshjes se goli i Jonuzit ishte nga pozita jashtë loje.

“Pjesa e parë nuk ishte e nivelit tonë siç unë dua ta shoh, por në pjesën e dytë kemi qenë shumë më mirë, kemi pasur raste”, deklaroi Idrizi për “Supersport”.

“Goli i Prishtinës ishte në pozitë jashtë loje, normal këto janë episode që dëmtohet 89-shi dhe në një ndeshje të tillë nuk mund të fitosh ashtu”.

“Kemi punuar në dy javët e fundit për fazën ofanzive por fatkeqësisht po na mungon fati, por jam i kënaqur me lojtarët e mi në këtë ndeshje”, tha Idrizi.