Tensione mes Britanisë dhe Francës shkaku i peshkatarëve

Dy anije luftarake të Britanisë së Madhe kanë arritur në afërsi të brigjeve të ishullit Jersey, pasi 80 anije ishin mbledhur në portin e Shën Helierit për të protestuar ndaj ligjeve të reja të peshkimit pas BREXIT-it.

Dy anijet britanike kanë qëndruar vetëm 2 kilometra larg bregut për të mbikëqyrur anijet franceze të peshkimit, që ishin mbledhur në ishullin e kanalit që ndan Britaninë dhe Francën.

Qeveria britanike ka bërë të ditur të enjten se luftanijet janë dërguar në Kanal për të monitoruar situatën, por angazhimi i tyre është kritikuar nga opozita që ka pretenduar se veprimi ishte i tepruar për të ngritur kredencialet e konservatorëve në ditën e zgjedhjeve lokale në Britani.

Peshkatarët francezë kanë protestuar rreth lejeve të reja, që për herë të parë kufizojnë numrin e ditëve të peshkimit në ujërat e përbashkëta të Britanisë dhe Francës, shkruajnë mediat e huaja.

Deri më tani peshkatarët kanë operuar në bazë të një traktati dyqindvjeçar.