As pas dhjetë ftesave të shkëmbyera mes vete, presidenti Thaçi e kryeministrit Kurti nuk janë takuar akoma. Të dy po vazhdojnë dramën e ftesave dhe refuzimeve, anash zhvillimeve të tjera politike. Tashmë kanë lënë mirësjelljen institucionale që përdornin nëpër letra. Thaçi dje e ka quajtur Kurtin mashtrues, të padinjitet, paranojak e kundërshtar të Amerikës. Kurti nga ana tjetër është i bindur se Thaçi tashmë ka nënshkruar marrëveshje sekrete me Vuciqin. Pas këtyre fjalëve, pezull ka mbetur një takim që sipas Zyrën së Kryeministrit do të ndodhte të premten.

Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të mos shtrëngojë duart në takime zyrtare për shkak të rrezikut nga shpërndarja e koronavirusit. Kësisoj, ai mund ta evitojë edhe përshëndetjen me Presidentin Thaçin, në qoftë se ndodhë takimi mes tyre të premten, kur Kurti, sipas Zyrës së tij, ka kohë ta takojë Thaçin.  

Zyra e Presidentit i ka thënë Gazetës Express se sot nuk mund të përgjigjen lidhur me atë se a do të ketë ose jo nesër takim mes Presidentit e Kryeministrit.

Vetëm brenda kësaj jave Thaçi e ka thirrur dy herë Kurtin. Ata lanë anash kurtuazinë që e shprehnin në letra e dolën me deklarata të ashpra ndaj njëri-tjetrit.

Thaçi me një shkrim në Facebook e ka quajtur Kurtin të frikësuar, gënjeshtar, mashtrues, të padinjitet dhe konsistent në qëndrime kundër Amerikës.

“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.I padinjitet”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas fjalimit të Kurtit në seancën e jashtëzakonshme.

Kryeministri në Kuvend e ka akuzuar Thaçin se tashmë ka bërë marrëveshje sekrete me presidentin serb, Aleksandër Vuciq dhe ka vazhduar negociatat e fshehta me të.

“Unë jam i bindur që ka marrëveshje mes dy presidentëve dhe duan që unë të thyhem si kryeministër dhe të thyhet Qeveria, ashtu që nënshkruhet ajo”, ka thënë Kryeministri dje në Kuvend.

Përveç takimit 4-minutësh në Presidencë, minutazhin e së cilit thekson vazhdimisht kryeministri Kurti, janë shkëmbyer më shumë se dhjetë ftesa mes Thaçit e Kurtit. Asnjë takim nuk ka ndodhur.

Kurti këtë të hënë, 9 mars nuk i shkoi në takim, sepse Presidenti i kishte thirrur në cilësinë e kryetarit të LVV’së. Të mërkurën Thaçi e ftoi Kurtin në tri ternime, e Kryeministri prapë nuk i shkoi në takim.

Zyra e Kryeministrit në të njëjtën ditë ka deklaruar se Kurti mund ta takojë Thaçin të premtën pasdite.

Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar të mërkurën për Gazetën Express se Kurti mund të takohet me Thaçin të premten.

“Nga Zyra e Kryeministrit pamë që kanë theksuar kohen se kur mund te takohet Kryeministri me Presidentin. Ne përgjigje ishte theksuar dita e premte”.

Gazeta Express ka pyetur ZKM’në, nëse takimi do të ndodhë ashtu sic kanë deklaruar, mirëpo Zyra e Kurtit, deri tash, nuk ka kthyer përgjigje.  

Historia e ftesave e refuzimeve mes Thaçit e Kurtit ka nisur kur lideri i LVV’së do t’i duhej ta merrte mandatin për kryeministër nga kundërshtari i tij më i madh politik në 20 vjetët e fundit.

Kurti nuk po arrinte ta bënte koalicionin me LDK’në, pasi i fitoi zgjedhjet, e Thaçin po e kërkonte me ngulm ta mandatonte për Kryeministër, ashtu që do të niste numërimi mbrapsht sipas afatit kushtetues për ta formuar Qeverinë.

Thaçi e ka ftuar Kurtin dy herë brenda ditës më datë 27 dhjetor, për ta mandatuar për Kryeministër. Kurti e ka refuzuar, pastaj Thaçi e ka ftuar serish më 30 dhjetor për herë të tretë. Lideri i Vetëvendosjes i tha se do ta takonte me 6 janar. Takimi konsultativ ndodhi në tentativën e katërt të Presidentit.

Kryeministri Albin Kurti për herë të parë i dërgoi ftesë për takim Thaçit, dy javë pasi erdhi në krye të Qeverisë. Ftesa e Kurtit u bë me qëllim që ai dhe Presidenti të koordinoheshin për politikën e jashtme, para se të niseshin për në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur gjatë shkurtit në Mynih.

Kurti u kritikua për ndryshim qëndrimesh në raport me Thaçin, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e konsideronte tradhtar, e thërriste protesta kundër tij.

Presidenti asnjëherë nuk u deklarua rreth kësaj ftese, e Kurti donte sërish takim me të parin e vendit. 

Ftesa e dytë e Kurtit ndodhi më 3 mars, me arsye të njëjtë, koordinimin mes tyre për politikën e jashtme. Kryeministri madje ankohej se Thaçi më nuk po i shkonte në takim, ndërsa muaj më parë po e kërkonte

“Pa u bërë kryeministër, më ftonte disa herë në ditë për ta takuar, tash po ikën”, kishte thënë Kurti në një nga konferencat e tij për media.

Thaçi nuk e pranoi as ftesën e dytë të Kurtit javën e kaluar, ndërsa tha se do të takonte atë dhe liderët e tjerë të partive në vijim.

Të hënën Presidenti Thaçi priti në zyrën e tij të gjithë liderët e partive që kanë grupe parlamentare në Kuvend, përvec kryetarit të LVV’së.

Kurti nuk i shkoi në takim, e tha se nuk ka interesim që ta takojë Thaçin si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Zyrtarët e LVV’së thanë se Kurti nuk është i lejuar nga partia që ta takojë Thaçin në cilësinë e liderit të LVV’së.

Ndërkaq, Kurti tha se si Kryeministër e ka obligim ta takojë Presidentin, ashtu që të koordinohen për çështjet e shtetit, prandaj do ta takonte në ditët në vijim.

“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual. Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, deklaroi Kurti.