Telekomi s’ia vazhdoi kontratën, çfarë do të ndodhë me numrat e Z-Mobile?

Kryeshefi i Telekomit lut qytetarët të mos shqetësohen, thotë se s’do të kenë probleme me numrat.

Kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile ka skaduar më 30 korrik.

E përdoruesit e Z-Mobile po thonë se nuk e dinë çfarë do të ndodhë me numrat e tyre telefonikë.

Shumë prej tyre shprehen të shqetësuar.

Ndërkohë, Bedri Istrefi, që është kryeshefi i Telekomit, institucionit ky që duhet të gjejë zgjidhje për këtë çështje thotë se përdoruesit e numrave të Z-Mobile nuk duhet të shqetësohen.

Ai në një bisedë telefonike për T7 ka thënë se ligjërisht, periudha kohore prej 30 deri në 120 ditë është kohë tranzicioni.

E brenda këtij afati kohor duhet të gjendet një zgjidhje.

Me këtë problematikë tani po merret edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Por, ky organ ende s’ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje.

Këtë për T7 e ka thënë vetë kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Sipas tij, duhet të shteren të gjitha mundësitë që ka ky operator, për të vendosur më pas për një zgjidhje rreth numrave të Z-Mobile.

E në pritje të këtij vendimi është edhe kryeshefi i Telekomit.

Marrëveshja mes Z-Mobile dhe Telekomit ka skaduar më 30 korrik, ndërsa ndërmarrja publike ka një borxh prej 26 milionë eurosh për t’ia paguar ish-partnerit.

loading…