Reagim

Telekomi kërkon zhbllokimin e llogarive dhe shkarkimin e përmbaruesit Kërçaku

Telekomi i Kosovës ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive, një ditë bllokimit të tyre pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin 5.7 milionësh ndaj ZMobile.

Telekomi ka thënë se do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike kundër përpjekjeve “për grabitjen e parasë publike”.

“Telekomi i Kosovës sh.a, ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike, të cilat njihen me legjislacionin e vendit për të ndalur në kohë këtë përpjekje të jashtëligjshme për grabitjen e parasë publike, që rrezikon të rrënojë rezultatet e arritura këto tri vite, si investimet në modernizimin e rrjetit mobil dhe rrjetit fiks, marrëveshjet e sukseshme biznesore, të cilat po rrënojnë monopolin në tregun e telekomunikacionit, i cili në pjesën më të madhe kontrollohej nga bizneset e dyshimta dhe me paratë e interesave nga vende që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, thuhet në komunikatën e Telekomit, ndërsa ka kërkuar edhe shkarkimin e përmbaruesit Irfan Kërçaku.

Në reagim duke renditur argumentet, ndërmarrja e ka quajtur shokues dhe arbitrar vendimin e Komerciales, i cili e ka lënë në fuqi Urdhrin përmbarimor pasi sipas Telekomit ky vendim i ka hapur rrugë përmbaruesit tjetër “ta vazhdojë zinxhirin e veprimeve të jashtëligjshme për përvetësimin e parasë publike”.

E kjo, sipas Telekomit, po bëhet me qëllim që pronarëve të Dardafonit t’u mundësohet që në bashkëpunim me partnerë nga vende jo-mike ta sfidojnë konkurrencën në treg.

“Kjo, për bindjen tonë bëhet me qëllim që pronarëve të Dardafon net L.L.C. përmes bizneseve të tjera tu mundësojë që në bashkëpunim me partnerë nga vendet jo mike që nuk e njohin Republikën e Kosovës, të sfidojnë konkurrencën në treg. Marrëveshjet e fundit mes këtyre bizneseve tregojnë qartë përpjekjen për të monopolizuar tregun e telefonisë fikse, internetit dhe përmbajtjes televizive në Kosovë. Kjo për bindjen tonë rrezikon jo vetëm të drejtat e qytetarëve , por edhe sigurinë e vendit”, thuhet në komunikatën e tij.

Aktvendimi i Gjykatës Komerciale e obligon Telekomin t’ia paguajë Dardafonit 5.7 milionë euro, dhe kjo pas mbi 40 milionë sa ia ka paguar më parë po kësaj kompanie.