Telekomi i Kosovës nënshkruan marrëveshje me KOSTT

Telekomi i Kosovës dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka nënshkruar marrëveshje për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile Vala.

Kjo marrëveshje ofron shërbime specifike për nevoja të KOSTT-it, duke e bërë Telekomin e Kosovës një partner të besueshëm të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të vendit tonë.

“Telekomi i Kosovës ka kënaqësinë që të bashkëpunojë me KOSTT-in, duke i ofruar shërbime të telefonisë mobile, fikse dhe internetit, të cilat, përveç që do t’i mundësojnë personelit të kësaj ndërmarrje publike që të kenë komunikim të pandërprerë, njëherësh, do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të hyrave të Telekomit të Kosovës, që është edhe synim i menaxhmentit aktual”, bëri të ditur Bedri Istrefi, U.D. Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, përcjell Ballkani.info.

Shërbimet dhe rrjeti teknik i Telekomit të Kosovës do të mundësojë komunikim efektiv dhe bashkëpunim fleksibil ndërmjet punonjësve dhe departamenteve të ndryshme të KOSTT-it.

“Arritja e kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit mes KOSTT-it dhe Telekomit të Kosovës, pasi që kjo do t’i mundësojë personelit të ndërmarrjes sonë që të komunikojnë në mënyrë efektive mes vete dhe të bashkëpunojmë më lehtë, kudo që ndodhen”, u shpreh Ilir Shala, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it, transmeton Ballkani.info.

Kjo marrëveshje bëhet në kuadër të përkushtimit dhe angazhimit të Telekomit të Kosovës që të zhvillojë shërbimet telekomunikuese dhe të shtojë numrin e konsumatorëve, e paraprirë nga marrëveshjet e mëhershme që janë arritur me shumë institucione shtetërore e biznese private. /Ballkani.info