Telekomi fajëson politikën e kaluar për dënimet milionëshe nga Arbitrazhi

Telekomi i Kosovës ka fajësuar politikën dhe grupet e interesit nga e kaluara për dënimet multimilionëshe që po i vijnë ndërmarrjes për shkak të telasheve që kishte pasur me kontrata në lidhje me “Z-Mobilen”.

Të hënën Telekomi u njoftua me një vendim të ri të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ai do të detyrohet të paguajë edhe rreth 13 milionë euro, pos atyre 39 milionëve të cilën kishte pranuar ta paguante në vitin 2016, për shkak të marrëveshjes me “Z-Mobilen”.

Në një komunikatë për media të martën, Telekomi ka thënë se tash po i paguan “faturat e politikës dhe grupeve të interesit, nga e kaluara”.

“Telekomit të Kosovës Sh.A., mbrëmë pas orës 16, i erdhi edhe një ‘faturë’ shumëmilionëshe (rreth 13 milionë euro), për të paguar, pas asaj të cilën e kishte pranuar në vitin 2016 për një shumë prej 39 milionë eurosh, e cila e pati tronditur nga themelet kompaninë dikur më të suksesshme në vend”, thuhet në njoftim të Telekomit.

Kjo ndërmarrje ka thënë se do të angazhohet që këto vendime të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit që nga zanafilla e tyre, “duke përmbyllur kështu një epokë kur pjesë të krimit të organizuar dhe të politikës në bashkëveprim po e rrënonin pronën publike dhe në veçanti kompanitë publike, në një përpjekje të përvetësimit të saj/tyre”.

Sipas Telekomit, borxhet rrezikojnë të përmbysin përpjekjet që po bëhen për ta rimëkëmbër kompaninë.

“Një strategji e grupeve të interesit, e formësuar në një kontratë publikisht të dyshuar dhe të denoncuar si korruptive, e kishte degraduar Telekomin e Kosovës Sh.A. nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve. Por, Telekomi aktualisht po ndërton një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani”, thuhet në njoftim të Telekomit.

Kjo kompani ka thënë se vendimi i fundit s’është në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme dhe se nuk sjell drejtësi.

Në fund, Telekomi ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për ta sfiduar vendimin.