Telefoni i Samsung me ekran që paloset në formë guaske merr formë

Që nga debutimi i Galaxy Fold, emri i Samsung është lakuar më shumë se kurrë më parë për një tjetër telefon të ngjashëm por të një kategorie tjetër.

Sipas medias Koreane The Korea Herald, Samsung dhe LG, kanë planifikuar të sjellin në treg pajisje me ekrane që palosen vitin e ardhshëm.

Duke cituar burime të industrisë, media Koreane insiston se Samsung do të zbulojë një telefon me ekran që paloset në formën e një guaske. Telefoni do të debutojë së bashku me Galaxy S11.

Më pas kompania do të shesë një edicion të dytë të Galaxy Fold në Gusht. Telefoni me palosje në formë guaske do të kushtojë afro 850 dollarë.

The Korea Herald vijon më tutje duke thënë se edhe LG ka planifikuar telefonin e parë me ekran që paloset në 2020. Dizajni i tij do të jetë i përafërt me Huawei Mate X.

Pavarësisht vështirësive që para që hasën Samsung dhe Huawei me telefonët me palosje, 2020-ta pritet të jetë një vit i madh për këtë kategori të re pajisjesh. Në Janar Motorola do të shesë telefonin klasik 1,500 dollarësh Razr me ekran që paloset. Edhe prodhues të tjerë si TCL dhe Xiaomi kanë eksperimentuar me formate të ndryshme e madje edhe palosje dy apo tre palësh.