Telefoni i ri i Vivo është ekstrem në çdo drejtim

Pas disa muajsh rrjedhje informacion dhe publikime fotosh, Vivo Nex 3 është më në fund zyrtar. Siç pritej, tipari që ra në sy ishte padyshim ekran OLED “Ujëvarë” i cili shtrihet në anët e telefonit dhe që sipas Vivo i jep pajisjes një raport ekrani me trupin e saj prej 99.6%.

Ekrani 6.89-inç 1080p ka një lakim aq ekstrem saqë nuk ka vend as për butonat anësor të volumit apo ndezjes.

Në vend të tyre Vivo ka shtua butonë virtual të quajtur Touch Sense të cilët punojnë së bashku me sistemin haptik.

Vivo do të shesë versione 4G dhe 5G të telefonit dhe që të dy fuqizohen nga Qualcomm Snapdragon 855+ dhe sistem ftohjeje të lëngshëm.

Kapaciteti i baterisë është 4,500 mAh dhe mbështet teknologjinë 44W të karikimit të shpejtë. Si çdo telefon tjetër Vivo, edhe ky i fundit vjen me skaner të shenjave të gishtërinjve nën ekran.

Në pjesën e pasme të telefonit gjendet një modul me tre kamera që Vivo e quan Unaza Hënore. Kamera parësore është 64-megapiksel, dytësore është 13-megapiksel me kënd të gjerë dhe tretësore 13-megapiksel telefoto.

Vivo gjithashtu ka rikthyer kamerat pop-up selfie me një modul 16-megapiksel. Lidhur me çmimin dhe disponueshmërinë Vivo nuk dha detaje për Nex 3 duke thënë vetëm “muajt e ardhshëm.”

loading…