Shqipëria

Telashet nuk kanë fund për teknikun Sylvinho, ylli i Kombëtares nuk del në stërvitje

Teknikut Sylvinho po vazhdojnë t’i dalin “probleme” përpara sfidës ndaj Çekisë, teksa pas dëmtimit të Ismajlit, në stërvitjen e kësaj të marte kanë munguar dhe 3 lojtarë të tjerë të grumbulluar, Kedi Bare, Klaus Gjasula dhe më i rëndësishmi, Armando Broja.

Sulmuesi ka ndjerë shqetësime në gjurin e operuar dhe është preferuar që të mos rrezikohet, duke e lënë pushim në seancën e sotme. Ai do të vlerësohet në ditën e nesërme nga stafi për të kuptuar nëse do të jetë apo jo në gatishmëri për duelin ndaj Çekisë.

Përsa i përket mesfushorëve, Bare është lënë pushim për shkak të problemeve fizike dhe vetëm ditën e nesërme do të merret vendimi për të, ndërsa Gjasula mbërrin në Rinas, vetëm ditën e sotme, pasi ka kaluar situatën me infeksionin në grykë, por nuk do të mund të stërvitet me ekipin, duke marrë pjesë vetëm në seancën e fundit me pjesën tjetër të lojtarëve.