Telashe me rekrutimin e stafit në Fakultetin Ekonomik

Flokart Aliu i cili kishte aplikuar për pozitën e asistentit thotë se është dëmtuar nga dy profesorë.

Në mesin e tridhjetë pozitave të hapura për punësim në Fakultetin Ekonomik, kishte aplikuar në dy prej tyre. Ai synonte për t’u bërë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo kandidati Flokart Aliu, thotë se është bllokuar padrejtësisht nga dy profesorë të cilët ishin pjesë e komisionit vlerësues.

Aliu, pretendon që të njëjtit kishin tejkaluar kompetencat e tyre, në raportet e vlerësimit.

“Fatkeqësia është që në pozitën 26 dhe 27 jam dëmtuar dhe bllokuar nga të njëjtit njerëz, ata dolën me një raport dhe kërkuar rishpalljen e pozitës sepse rregullorja e përcakton që konkursi mund të rishpallet vetëm kur kandidatët nuk plotësojnë kushtet” është shprehur Aliu për T7.

Mirëpo, ai ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në të gjitha organet e Universitetit të Prishtinës, madje ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurori.

“Kam dorëzuar kallëzime penale për këto raste, unë e di që në çfarëdo kontesti gjyqësor lehtësisht e fitoj lëndën sepse faktet janë të pamëshirshme dhe të provueshme në favorin tim”, deklaroi ai.

Ndërsa në Fakultetin Ekonomik, kanë konfirmuar që rasti i Aliut është duke u shqyrtuar. Sipas dekanit Fatos Ukajt, janë duke u zhvilluar dy procese paralelisht.

“Është situatë në të cilën kemi dërguar rastin në Senatin e UP-së dhe do të bëhet vlerësimi i këtyre pozitave dhe për shkak të mosrespektimit të rregullores, dy anëtarë të komisionit janë në Këshillin e Etikës”, ka deklaruar Ukaj.

Sipas tij, në fazën e përpilimit të raportit, profesorët nuk kishin shkruar raportet konform rregullores, ndonëse ua kishte tërhequr vërejtjen.

Por një sqarim për këtë çështje, e ka profesori Besnik Krasniqi, i cili ishte pjesë e komisionit vlerësues. Ai thotë që nuk ishte konsultuar departamenti në shpalljen e kësaj pozite, kësisoj kishin konstatuar që nuk kanë fond të mjaftueshëm të orëve.

Sipas Krasniqit, ata vetëm kanë propozuar që ta anulojnë këtë pozitë.

Ndërsa dekani i këtij fakulteti, ka konfirmuar që probleme të ngjashme kanë edhe për katër pozita të tjera, në konkursin e hapur.

Videon e plotë mund ta shihni duke klikuar KËTU.