Tekstet skandaloze të estradës që nxisin dhunë ndaj grave

Ka një ndërlidhje organike ndërmjet gjuhës dhe ndjenjave. Madje gjuha është një element fundamental i emocioneve që shpërfaqë jo vetëm përvojat emocionale, por edhe perceptimet, botëkuptimet e qëndrimet individuale e kolektive të një shoqërie.

Dikur, Martin Heideger shkruante se gjuha është shtëpia e qenies. Nisur nga ky pikëvështrim, arti kosovar, më konkretisht muzika, është një fushë problematike e qenies shqiptare.

Tekstet e këngëve, pa dallim zhanri, kanë mesazhe të shumta seksiste. Qoftë në këngët rap, hip hop apo ato të folklorit, gratë shpesh përshkruhen në terma pezhorativ e marrëdhëniet burrë e grua në relacione të varshmërisë e nënshtrimit të grave ndaj burrave, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Tekste të papërshtatshme ka me bollëk posaçërisht në këngët rap.

Në këngën “Anna”, që është klikuar plotë 49 milionë herë, reperi Gjiko portretizon gratë si të dhëna pas botës materiale.

Në tekst Gjiko, që këtë këngë e lansoi në bashkëpunim me Nora Istrefin, thotë se sa herë që Anna, e cila përfaqëson gratë, ‘ka kajt’, ai i ka blerë një çantë.

“Sa herë që ke kajt unë ta kom ble ni çantë

Sa herë t’kom bërtit, jom mërzit që je mërzit

Baby, ça ke? Mos e the derën e re

Mos e gjuj telefonin se prapë duna me ta ble

Jena bo si serial porque, me na ndijn komshinjtë tu u rreh”, këndon rep artisti Gjiko.

I njëjti artist në këngën “X5” në deutin me Melindën, e përshkruan marrëdhënien burrë e grua nga pikëpamja materiale.

“Nese s’të pëlqen Abeja, ka me t’pëlqy BMË-ja

Nese s’të pëlqen Avnija, ka me t’pëlqy Audi-ja

Mos em rri n’club tu pi Fanta, se vet koke si Shokata

Hajde merri ti këto franga, e harxhiti si zvicranka

Uh, mos em thuj internet s’kom

Sa, sa ta qova mbushjen n’telefon”, këngon Gjiko.

Edhe kolegu i tij Getinjo, që është shumë i famshëm, ka tekste diskutabile nga pikëpamja gjinore.

‘Lavire’, që është në fjalorin e shqipes shënjon një grua të përdalë, është ndër këngët skandaloze të Getinjos. Në të, përshkruhet refuzimi që ish e dashura i bën, të cilës për shkak të refuzimit, reperi i ri e cilëson si lavire.

“Kur e din qe tdu aa,

pse po bohesh lavire..ee

Kallxoma ni arsye ooh,

pse po bohesh lavire”, thuhet në refrenin e këngës “Lavire”.

Edhe tekstet e Mozzikut, Majkit, Don Xhonit e të tjerë kanë shpesh herë konotacione seksiste e përshkrime të papranueshme për gratë. Madje ky i fundit, në këngën “Kokaina” e quan ‘lavire (bitch)’ vajzës që i këndon.

Gjatë kohës së pandemisë, kënga e Egzon Marolli, e titulluar “Kam me të rreh moj çikë me grushta”, u bë virale. Jo për ndonjë vlerë artistike, por për tekstin skandaloz në të cilën një çikë kërcënohet se do të rrahet me grushte për arsye xhelozie nëse ajo veshë pantolla të ngushtë.

Por, me tekste seksiste kanë probleme edhe këngët e zhanreve tjera të këngëtarëve shqiptarë, shkruan Reporteri.net.

Sinan Vllasaliu në këngën të titulluar “Mos ja falni” përçon mesazhe seksiste, arkaike e patriarkale të poshtërimit të gruas që ndahet nga burri duke e përzënë nga shtëpia e ndarë nga fëmijët.

Në këngën, që përshkruan divorcin e një çifti, familjarët ‘urdhërohen’ që gruas që ikën nga shtëpia ‘t’i kallen’ fustanet e as ‘hallalli’ të mos i bëhet ‘kabull’.

“Kur të del ajo prej shpis,largoni gjitha gjanat

Mos leni asnji kujtim, kalljani krejt fustanat

Dhe hallallin kur kërkon mos ja falni mos ja falni

Veq fëmit kur prëqafon,mos ja ndalni mos ja ndalni”, këndon Vllasaliu në refrenin e këngës.

Zakonisht këndohet në dasmat shqiptare, por kënga ‘Kallma cigaren’, që së pari u këndua nga Sabri Fejzullahu e Adelina Ismaili, përshkruan relacione sunduese të burrit ndaj gruas.

Në tekst, gruas i ‘urdhërohet’ nënshtrimi ndaj burrit e familjes së saj nën kërcënimin dhe në rast se veprohet ndryshe, gruaja do të përballet me dhunë.

“Kallma cigaren paja qka t’kallxoj

me ma idhnu nanen guhen ta shkurtoj

prej merakut tande zemra po m’gufon

me ma idhnu nanen o guhen ta shkurtoj”, këndon dyshja e njohur e estradës kosovare.

Të tilla tekste problematike në relacion me gratë kanë edhe këngëtaret Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza e të tjerë këngëtarë të muzikës popullore, shkruan Reporteri.net.

Ndryshe së fundmi është rritur numri i rasteve të dhunës ndaj grave në Kosovë.

Vikendin që shkoi, u shënua edhe një vrasje e një vajze 18 vjeçe në Ferizaj, e cila u rrah për vdekje nga dy burra që tashmë janë arrestuar nga Policia.