SHBA

Teksas: Rritet vala e emigrantëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA

Autoritetet amerikane të imigracionit raportuan një rritje të konsiderueshme të kalimeve të paautorizuara kufitare në kufirin SHBA-Meksikë të enjten, veçanërisht në qytetet e Teksasit, si Eagle Pass, ku kryetari i bashkisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Oficerët e Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara kapën rreth 9000 emigrantë përgjatë gjithë kufirit brenda 24 orëve, njoftuan mediat amerikane të mërkurën. Zëri i Amerikës i kërkoi Patrullës Kufitare të konfirmonte numrin e ndalimeve të emigrantëve, por një zyrtar tha se janë në pritje të publikimit të shifrave mujore të emigrantëve që kanë hyrë në vend nga Meksika.

Rritja e dukshme e emigrantëve në Eagle Pass i kufizoi aftësitë e qytetit për të përballuar situatën.

Të mërkurën në mbrëmje, midis 500 dhe 800 emigrantë, kryesisht nga Venezuela, prisnin në zyrat e Patrullës Kufitare në Eagle Pass.

Pas rritjes së numrit të kalimeve të paautorizuara të emigrantëve, kryebashkiaku i qytetit Eagle Pass, Rolando Salinas Jr. shpalli gjendjen emergjente./VOA