Teksa formimi i qeverisë po vonohet, atë e presin shumë sfida

Me sfida të shumta pritet të përballet qeveria e re, nëse ajo arrin të formohet.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë, zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës e politika e jashtme, janë vetëm disa prej tyre.

Njohës të punës së qeverisë dhe të proceseve politike në vend, kanë renditur disa prej tyre, puna rreth të cilave, thonë se do të duhet të nisej sa më shpejt, raporton KTV.

Më sfiduesja nga të gjitha çështjet vlerësohet të jetë dialogu me Serbinë, i cili është “ngrirë” prej më shumë se një viti. Fitim Gashi, gazetar në Koha Ditore, thotë se në Kosovë nuk ka gatishmëri për përfundimin e këtij procesi.

Ndërsa, sipas Donika Eminit, përfundimi i dialogut me Serbinë kërkon konsensus politik.

Edhe një muaj e gjysmë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë me shumicën më të madhe të votave, nuk kanë arritur të merren vesh për formimin e qeverisë.

Pa marrëveshje paraprake, Lëvizja Vetëvendosje, me votat e deputetëve të LDK-së, arriti të konstituojë Kuvendin e Kosovës, duke e zgjedhur për kryetar Glauk Konjufcën.