Të shtunën në orën 14:00 varroset polici Izet Demaj

Izet Demaj, pjesëtari i Policisë së Kosovës që vdiq dje derisa po kryente detyrën e tij, do të varroset të shtunën në orën 14:00.

Demaj ka ndërruar jetë dje në Siptalin Rajonal të Pejës, pas plagëve të marra nga një shkëmbim zjarri që kishte ndodhur ndërmjet tij dhe një personi i cili kishte marrë pengje dhe po tentonte të grabiste i armatosur një bankë në qytetin e Istogut.

I vdekur ka mbetur edhe hajni, Kamer Metaj, ndërsa Policia e Kosovës, mbrëmë ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të cilët dyshohen se janë të lidhur me rastin.

Një nga të arrestuarit është vëllau i Kamer Metajt.

E gjithë kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta. Krerët e shtetit në reagimet e tyre kanë shprehur ngushëllime, ndërkohë reagime të shumta ka pasur edhe nga qytetarët të cilët janë shokuar me ngjarjen.

Kujtojmë se tashmë i ndjeri Izet Demaj kishte luftuar edhe nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.