“Të shtënat e zjarrit nga dy persona që ishin vec 5 metra përballë nesh”, Bjeshkatarja tregon detaje se si ndodhi sulmi në veri të Kosovës

Bjeshkatarja e grupit Kosovo Mountain Club, Arineta Mula, ka treguar se si u sulmuan nga serbët në veri të Kosovës.

 Ajo ka thënë se deri në momentin kur kishte ndodhur ngjarja, grupi i alpinistëve shqiptarë kishin përfunduar gjysmën e rrugës, derisa shton se një serb u kishte dhënë ndihmë në shteg dhe ishte përshëndetur me grupin.

“Të shtënat e zjarrit nga dy persona që ishin vec 5 metra përballë nesh ne sekondat e pare me ngjallen ndjenjën e luftës, pastaj e brengosur për të tjerët dhe vazhdimi pa u ndal me plumba na dha bindjen qe po vinin pas nesh. U larguam shpejte duke u kthyer nga kishim ardhur. Deri ne ate pike ku u sulmuam kishim realizuar 3,5 km te ecjes apo gjysma e ecjes se planifikuar duke kaluar dy fshatra. Deri ne fshatin e fundit ne drejtim te majës Shijak i Bubes, na u dha ndihmë për shtegun nga një banor serb i cili na mirëpriti duke përshëndetur të gjithë, pas disa minutash u sulmuam nga serbe te tjerë”, ka thënë ajo.

“Pas atyre te shtënave situata u qetësua sa më shumë largoheshim. I përgëzoj të gjithë bjeshkatarët që u treguan të matur dhe pa panik.

Plani i ecjes ndryshoj për shkak te sulmit. Ne vazhduam ecjen për në Majën e Mprehtë 1789m, Shala e Bajgores”, përfundoi Mula.

Ndryshe, pjesëtarë të grupit të shqiptarëve prej rreth 40 personave nga “Kosovo Mountain Club” kanë arritur të incizojnë momentin kur dy persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.

Në video dëgjohen krismat e armëve, për të cilat nga ky grup kanë thënë se janë shkrepur në 30 metra largësi.