Lajmi i fundit

Të shtëna afër një sinagoge në SHBA, raportohet për viktima

Zyrtarët policorë thonë se ka “disa viktima” nga të shtënat pranë një sinagoge në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara.

Komandanti i Policisë, Jason Lando u tha gazetarëve se të shtëna janë raportuar në afërsi të sinangogës “Tree of Life” që gjendet në lagjen Squirrel Hill.

“Jemi duke e vëzhguar situatën. Është e domosdoshme që fqinjët dhe komuniteti që gjendet përreth sinagogës Tree of Life të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Mos dilni jashtë”, ka thënë zëdhënësi Jason Lando.

Në kohën kur ndodhën të shtënat, në sinagogë, sipas një dhënave të publikuara në uebfaqen e këtij istitucioni, ka qenë duke u zhvilluar një shërbim fetar, raporton BBC.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shkruar në Twitter se po përcjell situatën në Pensilvani, duke iu bërë thirrje njerëzve që të shmangin zonën Squirrel Hill.

Departamenti për Siguri Publike i Pitsburgut ka shkruar në Twitter se “një sulmues aktiv” është raportuar se gjendet në zonë dhe u ka bërë thirrje njerëzve që të shmangin zonën.