Të rinjtë e AAK-së i gjuajnë Albin Kurtit ‘Plazma’ në oborr të Qeverisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës duke kundërshtuar heqjen e tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Përmes këtij aksioni, AAK po kërkon që të mos hiqet tarifa pa njohje nga Serbia.

Kryetari i të rinjve të AAK-së, Drilon Bardheci tha se tarifa i ka sjellë Kosovës produkte shumë cilësore nga prodhuesit, si dhe ka krijuar vende të reja të punës.

“Mos ta kthejë Serbinë në Kosovë zoti Kurti, ndoshta e ka marrë malli për produkte të Serbisë ne ja kemi pru sot një Plazma, sepse ne nuk e përdorim kemi produktet vendore, por këtë plazma do ia lëmë zoti Kurtit”, tha ai.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka paralajmëruar se do ta heqë tarifën ndaj Serbisë dhe do të vendos reciprocitet të plotë.

Kjo gjë po kundërshtohet nga partitë opozitare si AAK-ja dhe PDK-ja.

Tarifa ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës është vendosur nga qeveria e kaluar në krye me Ramush Haradinaj, në nëntor të 2018-s, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe lobimit për çnjohje.