kanceri

Të rejat e PDK-së, shpërndajnë broshura për rrezikun nga kanceri i gjirit

Muaji Tetor është Muaji i Ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, andaj sot, të rejat e Partisë Demokratike të Kosovës dega në Prishtinë, në Sheshin “Nënë Terezë”, kanë shpërndarë broshura, me të dhëna për rrezikun që i kanoset secilës grua që me kohë nuk e heton këtë sëmundje tinëzare.

Motoja e broshurës që u shpërnda ishte “Kontrollohu sot, jo nesër, sëmundja nuk pret!”, u dhanë distinktivë kushtuar këtij Muaji kundër kancerit si dhe në mënyrë simbolike u improvizua një vizatim që shprehte Pemën e jetës, në të cilën u nënshkruan qytetare të shumta dhe dhanë mesazhe si përkrahje dhe solidaritet ndaj grave të prekura nga kjo sëmundje.

Ky aksion simbolik ka për qëllim të rritë vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin për këtë sëmundje që merr shumë jetë.

Aktualisht, sipas institucioneve relevante shëndetësore, nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes bëhet nëpërmjet kontrollit të kancerit të gjirit.

Prandaj, zbulimi i hershëm është mbijetesë, ta parandalosh kancerin e gjirit, do të thotë të jetosh, theksojnë të rejat që shpërndanë këtë broshurë.

Ky aksion është i zhvilluar nga të rejat e Partisë Demokratike të Kosovës, bëhet gjatë këtij muaji çdo vit, në shumë qytete të Kosovës, duke dhënë edhe informata dhe duke bashkëbiseduar me gratë rreth parandalimit të kancerit të gjirit.