Kjo dhomë e vogël tashmë është bërë e njohur për të. Një herë në muaj S.H. vjen në Dikasterin për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Prishtinë për t’i marrë barnat për trajtimin e sëmundjes.
S. H rrëfen se gjithçka kishte filluar kur i ishte shfaqur një gjëndër në trup dhe pas operacionit mjeku që e kontrollonte kishte referuar atë të bëjë një fotografim të mushkërive.
Atë çfarë i kishte thënë mjeku, nuk e kishte marrë seriozisht. E për këtë shkak vetëm pas 3 muajve kishte shkuar të bëjë fotografimin.
Për shkak të mosinformimit për këtë sëmundje, S. kishte qëndruar në një ambient së bashku me familjarët duke shtuar rrezikshmërinë për t’i infektuar ata.
Fakti se është diagnostikuar me sëmundjen që në gjuhën popullore njihet si “verem”, e kishte bërë atë të ndihet keq. Thotë të jetë infektuar nga një person i afërt me familjen.
Pas kësaj, S. duhej të fillonte të merrte terapinë që i nevojitej për trajtimin e sëmundjes. Mirëpo, 1 javë kishte mbetur pa to, pasi nuk kishte qenë në dijeni se barnat merren falas.
Me kalimin e kohës, S. po ndihej më mirë me shëndet. Por, 10 tabletat të cilat ajo i merr çdo mëngjes i shkaktuan probleme të tjera.
Megjithatë, përveç terapisë ajo duhej të ketë kujdes të shtuar në ushqim. E duke ditur se TB është sëmundje shumë e kushtueshme, pa ndihmën e fëmijëve nuk do t’ia dilte.
Për dallim nga kjo paciente, ka edhe pacientë të cilët kanë tuberkuloz rezistent ndaj barnave të cilët trajtohen në repartin e sëmundjeve të mushkërive dhe TB në Spitalin Rajonal të Pejës.
Në fund të këtij korridori gjenden pesë dhoma të izolimit ku qëndrojnë këta pacientë.
Brenda pesë vjetësh në këtë njësi janë trajtuar 20 pacientë të cilët tashmë janë shëruar. Momentalisht në këtë njësi është vetëm një pacient nga Shqipëria.
Në një nga këto dhoma, po qëndron M.L, i cili ka pesë muaj që është diagnostikuar me tuberkuloz.
Ai thotë se barnat që ka marrë në Shqipëri, nuk kanë pasur asnjë efekt. Pas kësaj, mjekët e Shqipërisë e kishin referuar atë të vijë për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
M. derisa ishte ende në Shqipëri thotë se shpenzime ka pasur shumë.
Për shkak të kësaj sëmundjeje, ai është detyruar t’i lërë familjen, shoqërinë, jetën që bënte e të vijë në Kosovë për t’u shëruar.
Ndonëse, me luftën e madhe që bëhet kundër sëmundjes së tuberkulozit, një sëmundje ngjitëse infektive e shkaktuar nga mykobakteri tuberkular, institucionet shëndetësore përballen me disa probleme infrastrukturore e mungesë të stafit mjekësor.
Dispanseri i Sëmundjeve të Mushkërive dhe Tuberkulozit rrezikon të mbyllet. E gjithë kjo pasi pulmologia, Shkëndije Kursani, ka dalë në pension dhe ka mungesë të stafit të specializuar për këtë sëmundje.
Kursani thotë për T7 se në Mjekësi Familjare nuk mund t’u ofrohet shërbim për pacientët me TB pasi rrezikohen edhe pacientët tjerë me sëmundje të ndryshme, rrezikohen edhe gratë shtatzëna e fëmijët.
Ndryshe, me probleme infrastrukturore po përballet Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Për të liruar mbingarkesën e kësaj klinike është marrë vendim që Spitali i Pejës të merret si qendër referente për trajtimin e rasteve me TB për tërë territorin e Kosovës.
Përkundër investimeve në Klinikën e Pulmologjisë, kjo për MSh vazhdon të mbetet një ndër problemet më të mëdha.
Gjatë vitit 2018, numri i pacientëve me tuberkuloz është rreth 700. Kështu thotë Majlinda Gjocaj, koordinatore e Programit Kombëtar për Kontrollin e Duhanit.
Ndërkohë për të zvogëluar numrin e pacientëve, motoja për këtë vit kundër TB-së është “Është koha, fund tuberkulozit”.
Profesionistët shëndetësorë këshillojnë të gjithë qytetarët që t’i japin fund kësaj sëmundjeje, duke u diagnostikuar dhe trajtuar me kohë







