Të premten pritet të bëhet shqyrtimi i parë i projektligjit për luftimin e COVID-19 dhe Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Të premten e 7 gushtit, Kuvendi i Kosovës pritet të bëjë shqyrtimin e parë të projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Kuvendi ka njoftuar se pas mbledhjes virtuale të Kryesisë është vendosur që të premten të vazhdohet me fillim nga ora 10:30 me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e propozim-rezolutave dhe rekomandimeve, ndërsa në orën 11:00 do të mblidhet në seancë të re.

Në seancë, pos shqyrtimit të parë të projektligjit për luftimin e COVID-19, pritet të bëhet edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Në seancë pritet të bëhet edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të zgjidhet një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të zgjidhet kryesuesi i Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, i hartuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.​

Projektligji kundër pandemisë ishte iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit, në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani. Megjithatë, hartimi i një ligji të tillë ishte cilësuar i panevojshëm nga Qeveria e Kosovës.