Të paktën 10 të vrarë nga sulmet me thikë në Kanada

Të paktën 10 persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në sulme me thikë në provincën qendrore Saskatçuan të Kanadasë, tha policia.

Viktimat u gjetën në 13 lokacione në James Smith Kri dhe në fshatin Ueldon.

Dy të dyshuarit, të identifikuar si Damien Sanderson dhe Myles Sanderson, janë në arrati dhe vlerësohet se janë të armatosur dhe të rrezikshëm.

Fotografitë e të dyshuarve për sulmet në Kanada.
Fotografitë e të dyshuarve për sulmet në Kanada.

Banorët janë udhëzuar që të qëndrojnë brenda, teksa kërkimi masiv për të dyshuarit po vazhdon.

“Mos u largoni nga vendet e sigurta. Jini të kujdesshëm kur lejoni banorët e tjerët të hyjnë në shtëpinë tuaj”, tha policia kanadeze përmes një postimi në Twitter.

Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë kartat e identifikimit të shoferëve dhe udhëtarëve.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në James Smith Kri – një komuniteti indigjen me rreth 2.000 banorë në verilindje të Ueldonit.

Po ashtu, autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për rrezik në telefonat mobilë të të gjithë banorëve në Saskatçuan, Manitoba dhe Alberta – një zonë e madhe që ka madhësinë e pothuajse gjysmës së Evropës.

Kryeministri kanadeze, Justin Trudeau e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm”.

“Jam i tronditur nga sulmet e sotme. Përgjegjësit për këto sulme të neveritshme duhet të dalin para drejtësisë”, tha ai.

Në mbrëmjen e së dielës, policia tha se numri i të plagosurve mund të jetë mbi 15.

Autoritetet thanë se disa persona mund të jenë shënjestruar qëllimshëm nga sulmuesit, ndërkaq të tjerët mund të jenë therur me thikë në mënyrë rastësore.

Ende nuk dihet raporti midis Damien Sanderson, 31 vjeç, dhe Myles Sanderson, 30 vjeç, dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje për sulmuesit.

Sulmi i parë u raportua në polici në dielën në orën 05:40 sipas kohës lokale në kryeqytetin rajonal, Regina, në jug të Ueldonit. Më pas pasuan edhe telefonata të tjera për ndihmë në drejtim të policisë.

Të dyshuarit janë parë në publik në Regina rreth kohës së drekës dhe kanë qenë duke udhëtuar me një makinë të llojit Nissan Rogue.

Autoritetet kanë kërkuar nga banorët që të lajmërojnë menjëherë policinë nëse hasin në të dyshuarit, pasi ata konsiderohen të rrezikshëm.