Të pagjeturit: Kosova përfaqësohet nga Driton Selmanaj dhe Ibrahim Makolli në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj bashkë me kryesuesin e delegacionit të Kosovës në grupin punues për çështjen e zhdukurve Ibrahim

Makolli do të jenë përfaqësuesit e Kosovës në takimin e radhës të dialogut me Serbinë në Bruksel.

Klan Kosova mëson ekskluzivisht se këta do të nisën nesër për Bruksel derisa takimi do të mbahet pasnesër, i cili temë diskutimi ka bisedimet për personat e zhdukur dhe të zhvendosur në nivelin teknik. Po ashtu, ata do të diskutojnë edhe për çështjet e tjera që u folën nga kryeministri Avdullah

Hoti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që pjesë e këtij takimi të jetë edhe Skënder Hyseni që u emërua koordinator shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi.

Temën e diskutimit e ka konfirmuar për Klan Kosovën edhe zëdhënësja e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Takimet në nivelin e ekspertëve të planifikuar për më vonë këtë javë, do të vijojnë me çështjet e diskutuara midis liderëve javën e kaluar”.

Nga pala serbe nuk dihet kush do të marrë pjesë.

Klan Kosova ka provuar të kontaktojë Selmanajn dhe Makollin, por që të dy kanë qenë të paqasshëm.

Ky është takimi i dytë me radhë që nga rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja që nga vjeshta e vitit 2018.

Ndërkaq, Hoti dhe Vuçiq do të fillojnë raundin e dytë të takimeve në shtator – muaj ky që u paralajmërua nga BE se do të jetë intensiv në procesin e pajtimit të kosovarëve dhe serbëve.