Qendra Korrektuese

Të miturit në burgun e Lipjanit pajisen me dokumentacion shkollor

Problemi i të miturve të cilët ndodhen në Qendrën Korrektuese në Lipjan për zhvillim e procesit mësimor është zgjidhur.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani.

Ai për KALLXO.com ka thënë se pas takimeve të shumta mes Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë, dhe atë të Arsimit është zgjedhur ky problem.

“Është zgjedhur ky problem dhe tani janë përcaktuar edhe normat janë të garantuar edhe pjesa e dokumentacionit është e rregulluar”, ka thënë Hasani.

Ai tutje ka shtuar se tani janë të ndara si paralale të dy shkollave, një të shkollës fillore dhe një të shkollës së mesme.

“Pjesa e nxënësve që e ndjekin mësimin nga klasa 6-9 i marrin certifikatat nga shkolla amë dhe mesmja nga shkolla tjetër profesionale dhe gjithçka është e rregulluar”, është shprehur Hasani.

Për problemin e të miturve të cilët ndodhen në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, në lidhje me zhvillimin e procesit mësimor ka folur edhe drejtori i kësaj qendre, Heset Loku.

Ai ka thënë për KALLXO.com se të miturit janë pajisur me dokumentacion me përfundimin e vitit shkollor 2017/ 2018.

“Të miturit që vijojnë shkollimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku vijojnë mësimet të miturit me masë edukuese-korrektuese, të miturit e dënuar dhe të miturit e paraburgosur, me përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 janë pajisur me dokumentacion shkollor dhe vazhdojnë të pajisen me dokumentacion shkollor”, ka thënë Loku.

Ai tutje ka sqaruar se procesin mësimor në Qendrën Korrektuese në Lipjan e mbajnë tetë arsimtarë, ndërsa numri i të miturve që vijojnë shkollimin për momentin është 28.