Takimi

Të hënën takimi Bislimi-Petkoviq, optimizëm për arritjen e një dakordimi

Një ditë para takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka optimizëm nga njohësit e procesit të dialogut se do të arrihet një pajtim për çështjen e dinarit. Sipas tyre, Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, është legjitime, por duhet të gjenden modalitetet për zbatimin konkret të saj në terren, pa u prekur qytetarët serbë të Kosovës.

Pritshmëri të ndryshme kanë njohësit e zhvillimeve politike rreth diskutimeve për dinarin në takimin e radhës që e ka paralajmëruar Bashkimi Evropian për të hënën në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen të hënën pas takimeve të 19 marsit.

Analisti Fidan Ukaj shprehet optimist për gjetjen e zgjidhjes në takimin e radhës.

“Pashmangshëm është e vetmja zgjidhje ofrimi i këtyre opsioneve të Kosovës, tani më edhe Serbia është e bindur se institucionet e Kosovës janë shumë të vendosura të ekzekutojë vendimin e marrë. Po do të gjendet një zgjidhje në takimin e ardhshëm dhe gjasat që të kemi një darkodim mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Popullore të Serbisë, janë të mëdha që qytetarët serbë në Kosovë të marrin të mirat materiale që i shpërndanë Serbia, t’i marrin përmes bankave të licencuara të Kosovës”, thotë ai.

E politologu Artan Muhaxhiri thotë se për arritjen e një marrëveshjeje të hënën duhet më shumë konstruktivitet.

“Duhet të ketë shumë më tepër diplomaci, shumë me tepër hapësirë për kompromise konstruktive dhe të domosdoshme në mënyrë që të shkohet nga dy palët drejt arritjes së një marrëveshje”, ka thënë Muhaxhiri.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që javët e ardhshme Kosova dhe Serbia të arrijnë pajtim rreth çështjes së dinarit, derisa palët u patën zotuar t’i dërgojnë propozimet në aftin që ishte deri të premten e kësaj jave.

E zv.kryeministri Besnik Bislimi ka insistuar se në Bruksel nuk është kontestuar rregullorja e BQK-së.

ka thënë se ata nuk kanë dorëzuar propozime për Rregulloren, por ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitet serb është i mundshëm brenda kësaj rregulloreje.