Valmir Elezi

Të hënën KQZ i kthen përgjigje kryesuesve të kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të hënën, më 17 dhjetor, t’i kthejë përgjigje të tre kryesuesve të kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Ky lajm është bërë i dituar nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

“Gjatë ditës së hënë do t’i përcjellim përgjigjet zyrtare lidhur me dy pyetjet që kanë parashtruar në adresë të KQZ-së të tre kryesuesit e kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Sigurisht se përmbajtjen e përgjigjes do ta bëjmë publike”, ka thënë Elezi.

Sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, “grupi nismëtar, brenda 30 ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm një herë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për 15 ditë tjera”.

Sipas pikës 7 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ, nëse pas të gjitha afateve, nuk arrihet të plotësohet numri i nënshkrimeve prej së paku 20% të votuesv të regjistruar, KQZ konstaton se kërkesa nuk është mbështetur dhe iniciativa konsiderohet e pavlefshme.

Por, sipas pikës 9 të të njëjtit nen, në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.