Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme për ikjen e të rinjëve nga vendi.

Me këtë rast, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka sulmuar ashpër nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti për deklaratën e tij dhënë në një intervistë.

“Të gjithë sot i kanë kah dy tre milionë euro”, kishte thënë ndër të tjera Haliti.

E Selmanaj është shprehur se njerëzit janë në rrezik sot për mbijetesë ndërkaq që Haliti bën deklarata të tilla.

“Xhavit Haliti në një intervistë thoshte se sot në Kosovë të gjithë i kanë nga dy, tre milionë euro. Njerëz janë në rrezik për mbijetesë, dhe cili është mesazhi që i bartë ai qytetarëve. Cili është mesazhi kur presidenti ndërton shpi luksoze. Cili është mesazhi kur Policia e Kosovës përfshihet në krim të organizuar. Punësimet familjare, duhesh me pas dhandrin deputet për me hi dikun në punë”, u shpreh Selmanaj.

Duke folur tutje Selmanaj ka thënë se në fshatin nga i cili vjen ai, Mushtishti, 250 shtëpi kanë ikur nga aty.

Ai thotë se vetëm në Prizren janë 3 mijë e 400 kërkesa për certifikatë të hetimeve, që sipas tij kryesisht i duhet qytetarëve për të aplikuar për vizë.

“Ndër shqetësimet serioze është ikja e të rinjve nga vendi i punës. Unë po e marr shembull në Mushtisht 250 shtëpi janë mbyllur dhe asnjë person nuk jeton aty. Vetëm në Prizren janë 3 mijë e 400 kërkesa për certifikatë që nuk janë nën hetime. As LDK-së as VV-së dhe as PDS-në nuk i duhet Kosova pa njerëz. T’i heqim festimet kah 500 mijë euro për pavarësi e t’i heqim projektet për autostrada, për njerëz që po ikin ? Përtej qasjes populiste ne duhet t’i mbrojmë njerëzit tonë”, tha ai.