Të frymëzuar nga Ukraina, civilët stërviten për luftë në Tajvan

I veshur me uniformë ushtarake dhe me një pushkë automatike gati, “Prof” Yeh shikon përmes xhamit të prapmë të një automjeti të parkuar në periferinë e Tajpeit, duke analizuar hapësirën përreth dhe duke pritur një sinjal për të avancuar.

Yeh punon në fushën e marketingut dhe arma e tij është imitim i armës së vërtetë – por ai po e kalon fundjavën duke marrë pjesë në një kurs për luftim urban, për t’u përgatitur për atë që ai e sheh si rrezik shumë real për një pushtim kinez.

Ai nuk është i vetëm – organizatorët e stërvitjes thonë se nxënësit e tyre pothuajse janë katërfishuar që nga shkurti.

Ndjekësit e kurseve për përdorimin e armëve të zjarrit dhe të atyre për dhënie të ndihmës së parë po ashtu janë shtuar.