Të famshmit kosovarë, pjesë e turneut ‘Fadil Vokrri’

Nga data 25 deri më 30 dhjetor në ‘Pallatin e Rinisë’ në Prishtinë do të organizohet turneu memorial i futsallit dedikuar legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ky turne, i cili do të organizohet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, e i cili është përkrahur edhe nga Ministria e Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Federata e Futbollit të Kosovës, ka për qëllim nderimin e veprës dhe kontributin e presidentit historik të futbollit, Fadil Vokrri.

Turneu në vete përmbledh gjenerata të ndryshme, ndërsa ‘qershia mbi tortë’ do të jetë ekipi i yjeve, i përbërë me personalitet të njohura nga sporti, muzika, kultura dhe institucionet.

Tashmë janë zbuluar katër emrat e parë të personaliteteve që do të jenë pjesë e ekipit të yjeve.

Futbollisti legjendar shqiptar, Lorik Cana, humoristi Vedat Bajrami, këngëtari ‘MC Kresha’ dhe Eroll Salihu, tashmë janë konfirmuar si pjesë e ekipit të yjeve që do të ofrojnë spektakël nën moton ‘Faleminderit Legjendë”.