Të enjten do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Komunës së Prishtinës ku rend dite do të jetë propozim-vendimi për anulimin e vendimit për këmbimin e pronës në Badoc.
Mbledhja e jashtëzakonshme do të fillojë nga ora 14:00, thuhet në njoftim.
Të dielën Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë njoftuar se kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për t’u mbajtur seanca, për çka të hënën edhe është thirrur ajo.

Javë më parë KOHA ka raportuar se para tre vjetësh kryetari Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje.
Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re.







