Prokuroria Speciale

Të akuzuarit për terrorizëm ‘pendohen’ në gjykatë

Rakip Avdyli, i akuzuar se përhapi në rrjetet sociale materiale në përkrahje të ISIS-it, pas pranimit të fajësisë për shtytje në vepra terroriste shprehu keqardhje dhe pendesë për veprën e kryer, shkruan Kallxo.com.

“Pendohem dhe shpreh keqardhje për rastin e ndodhur”, tha Rakip Avdyli para gjykatës.

Ai edhe më parë ishte i dënuar me 10 muaj burg për të njëjtën vepër penale, për shkak se nëpërmjet rrjeteve sociale bëri thirrje për ‘xhihad’ në Kosovë, ndërsa dënimin ndaj tij nga 10 muaj në 18, e kishte rritur Gjykata e Apelit.

Pendesë shprehu edhe Kreshnik Podvorica, i akuzuari tjetër në ketë proces për moslajmërim të veprës penale dhe kryesit të saj.

“Jam penduar dhe i premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris më veprën penale”, tha i akuzuari Podvorica.

Edhe Podvorica ishte dënuar më parë për vepra terroriste. Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti e dënoi atë me 6 muaj burg për propagandim në Facebook pasi që kishte përkrahur haptazi veprimet terroriste të “ISIS”-it.

Podvorica më 4 nëntor 2017 në llogarinë e tij në “Facebook” kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “Nisu drejt tyre pa mëshirë”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Rakip Avdylin së më qëllim që të shtyjë në kryejnë e aktit terrorist ka postuar video-incizime, fotografi duke e shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste “ISIS”, si dhe komente të tjera me qëllim që të shtysë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik që vepra të tilla edhe të kryhen.

Ndërsa Kreshnik Podvorica, akuzohet se nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryesin e saj, kur i pandehuri Rakip Avdyli ka kërkuar nga ai që të kryej një sulm vetëvrasës në Republikën e Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Rakip Avdyli citohet t`i ketë thëne se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër myslimanë për të organizuar një sulm vetëvrasës, kundër shtetit dhe qeverisë.