prishtina

Të akuzuarit dhe avokatët kundërshtojnë akuzat në rastin ‘Pronto’

Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca në rastin e aferës së përgjimeve e njohur si rasti ‘Pronto”.

Në këtë seancë, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre po i kundërshtojnë provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë duke i kërkuar Gjykatës që ta hedhë këtë aktakuzë që, sipas tyre, është e pabazuar në prova.

Këtë qëndrim e mbajti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Adem Grabovci, avokati Florent Latifaj.

“Qëndroj në tërësi pranë parashtresës së dorëzuar për kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës”, tha Latifaj.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollçaku pati kërkesë të njëjtë.

“Edhe unë si mbrojtësit e tjerë kam bërë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës. E kam shpjeguar dhe arsyetuar se pse një aktakuzë e tillë duhet të hedhet nga ana e Gjykatës dhe gjithashtu i kam dhënë të gjitha pretendimet e mija se kam konsideruar se përveç që aktakuza nuk ka asnjë provë të bazuar, të gjitha provat që prokuroria është thirrë nuk vlejnë për këtë proces”, tha Kollçaku.

Avokati Besnik Berisha, i cili në këtë proces mbron të akuzuarin Besim Beqaj pati një vërejtje ndaj gjykatës.

“Thatë që i keni pranuar kërkesat tona për hedhje të aktakuzës por nuk na treguat nëse Prokuroria ka kthyer përgjigje në kundërshtimet tona”, tha Berisha.

Në këtë deklaratë të avokatit ndërhyri prokurorja speciale, Drita Hajdari, e cila e përfaqëson këtë aktakuzë.

“Kam vërejtje lidhur me këtë kërkesën e avokatit. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit dhe mbrojtëset e tyre së pari i paraqesin kundërshtimet e pastaj Prokuroria përgjigjet në kundërshtimet e tyre, nuk ka nevojë avokati të vë rregulla”, tha ajo.

Në këtë seancë, avokati Besnik Berisha është paraqitur pa togë në sallë të Gjykatës për çka i është tërhequr vërejtja nga gjykatësi Shashivar Hoti.

Ndërsa avokati Emrush Kastrati, i cili e mbron të akuzuarin Besnik Shurdhaj, pati një version tjetër për këtë aktakuzë.

“Kjo akuzë është ngritur më tepër në presionin e publikit mediatik. Bindja ime është kjo dhe nuk ka të bëjë asgjë më veprime inkriminuese të klientit tim”, tha ai.

Në prill të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.