TCH: Raporti i Lajçakut, Osmani më pranë kërkesave të BE-së

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Miroslav Lajçak ka informuar anëtarët e Këshillit të Atlantikut Verior në Bruksel me krizën e Kosovës dhe bisedimet për zgjidhjen e saj.

Raportimi është mbajtur pasditen e të martës dhe burime diplomatike i bënë të ditur Top Channel se Lajçak e përkufizoi se situata në veri të Kosovës ka ndodhur e provokuar “nga aksioni i papritur, i panevojshëm dhe pakoordinuar i Qeverisë së Kosovës me KFOR-in”.

Sipas Lajçak, Kurti ka dashur të përfitojë nga situata për të shtrirë kontrollin në veri. Ndërkohë dhuna ndaj ushtarëve të KFOR u bë nga elementë kriminalë serbë vendas dhe të ardhur nga Serbia.

Lajçak tregoi se ishte KFOR që e ndaloi përplasjen mes palëve. Pas kësaj ngjarje nisi edhe aksioni diplomatik.

Takimi i parë i Lajçakut, në përcjellje të emisarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit ju kërkua të tërheqë policinë, kryetarët e komunave të punojnë përkohësisht në një lokacion tjetër dhe të shpallë zgjedhjet në katër komunat e veriut.

Kurtit ju kërkua të ulet në tavolinën e dialogut dhe të zbatojë pikat e marrëveshjes së Ohrit. Por, sipas Lajçakut deri tash Kurti nuk ka pranuar asnjërën nga kërkesat.

Të hënën shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka pasur një telefonatë të gjatë me Kurtin dhe ky i fundit përsëri ka refuzuar të plotësojë këto pika.

Madje raporton Lajçaku pas bisedës, Kurti i ka shkruar edhe një letër Borrellit ku i jep shpjegime përse këto pika nuk mund të plotësohen tani.

Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë shenja se është më afër kërkesave të Bashkimit Evropian, veçanërisht për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri.

Nga pala serbe kërkesat ju paraqitën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Atij ju kërkua të ulë nivelin e alarmit të ushtrisë, të bindë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja lokale dhe të tërheqë protestuesit serbë nga godinat e komunave. Gjithashtu, serbët duhet të ulen në tryezën e dialogut dhe të plotësojnë pikat e marrëveshjes së arritur në Ohër.

Të hënën ka qenë afati i fundit për plotësimin e tri kërkesave të para, por Vuçiqi nuk e ka mbajtur premtimin.