Tavë dheu me mish viçi

Nëse ju ka ngelur pak mish viçi në frigorifer dhe nuk dini ç’të sajoni për darkë, kemi zgjidhjen e duhur për ju.

PËRBËRËSIT:

500 g mish viçi, 300 g gjizë fshati, 1-2 kokrra qepë të thata, 3 domate të pjekura mirë, 8 thelpinj hudhër, 2 lugë gjellë uthull (sipas dëshirës), kripë, piper, vaj ulliri dhe spec djegës.

PËRGATITJA:

Grijmë qepët hollë dhe i kaurdisim për disa minuta më vaj ulliri në një tigan të thellë. Në momentin që volumi i tyre nis të bjerë marrin një ngjyrë të verdhë në të artë shtojmë mishin e prerë në kubikë. Vijojmë t’i kaurdisim për disa minuta. Më pas shtojmë uthullën dhe i përziejmë derisa mishi ta përthithë plotësisht. Në këtë moment shtojmë domatet e grira në rende, kripën, piperin dhe specin djegës. Grijmë hudhrën hollë dhe ia shtojmë masës më lart. Më pas hedhim gjizën dhe një gotë ujë ambienti. I lëmë në zjarr derisa domatja të shkrijë tërësisht. Heqim tiganin nga zjarri dhe nisim mbushjen e tavave të baltës. Tavat i vendosim në furrën e paranxehur dhe i lëmë të piqen për maksimumi 25 minuta. Këshillohet të serviren të sapodala nga furra. Ju bëftë mirë!