Task Forca antikushtetuese nuk përfill vendimin e Qeverisë për shuarje, vazhdon aktivitetin DOKUMENT

Qeveria e Kosovës, të hënën e 19 tetorit, vendosi për shfuqizimin e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Vendimi ishte marrë në mbledhjen e Qeverisë.

Mirëpo, duket se aktiviteti i këtij Departamenti apo siç njihet ndryshe Task Forca anti-korrupsion po vazhdon, megjithë vendimin e Qeverisë për shuarjen e tij.

Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht një dokument/kërkesë të Departamentit Special Anti Korrupsion drejtuar Ministrisë së Infastrukturës, respektivisht Sekretarit të Përgjithshëm.

Kjo nuk do të ishte dyshuese sikur të ndodhte para shuarjes së këtij institucioni që shpeshherë është kritikuar dhe është quajtur paralel, antikushtetues dhe joligjor. Mirëpo, kërkesa drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me sigurimin e informacioneve për një tender është bërë dje, më datën 20 tetor, një ditë pasi qeveria zhbëri Departmentin që drejtohet nga majori Shemsi Haziri.

Kërkesa në Ministrinë e Infrastrukturës ka shkuar përmes majorit Haziri dhe e nënshkruar nga një kapiten dhe një rreshter i Policisë së Kosovës, njëri shef i sektorit të hetimeve në Departamentin Special Anti Korrupsion e tjetri Mbikëqyrës në këtë institucion, tashmë të shuar.

Në këtë kërkesë të këtij Departamenti kërkohet sigurimi i informatave lidhur me tenderin me titull “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë Lot 1 dhe Lot 2″.

Në fund të kërkesës është edhe një sqarim, ku thuhet: Për kërkesën, Departamenti Special Anti Korrupsion i Policisë së Kosovës, ka bërë kërkesë me datë 18.09.2020, mirëpo në materialin e pranuar nga Zyra e Prokurimit të MI-së, nuk është kompletuar Dosja e kërkuar e specifikuar në këtë kërkesë.

E kryeministri Avdullah Hoti, foli sot në konferencën për media edhe shfuqizimin e këtij Departamenti. AI tha se shuarjen e Task-Forcës e ka bërë për shkak se ishte antikushtetuese.

“Ka qenë antikushtetues. Pushtetet janë të ndara. Përmes këtij vendimi brenda PK janë kritikuar struktura jo ligjore jo në përputhje me ligjin. Ju garantoj që ne do ta kthejmë ligjshmërinë. Unë ju garantoj që jemi të vendosur që të kthejmë ligjshmërinë. Dhe me lejoni të them që nuk keni parë gjë akoma sa i përket vendimeve për kthim të ligjshmërisë”, theksoi Hoti. /Ballkani.info/