“Tash që Rusia, së bashku me Serbinë, po përpiqet të provokojë një luftë në Kosovë…”: Deputeti ukrainas nisi peticion që Kievi të njohë pavarësinë e Kosovës

Tani për tani, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës do të demonstrojë mbështetje dhe solidaritet për Ukrainën në luftën për integritet territorial dhe sovranitet, thuhet në peticionin e deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili është postuar në faqen zyrtare të Presidentit të Ukrainës – president.gov.ua, më 13 dhjetor.

Njohja e Kosovës, shkruan tutje, do të tregojë se Ukraina, së bashku me botën demokratike, mbështet drejtësinë dhe qëndron në anën e së vërtetës.

Goncharenko thekson se rezoluta e tij, të cilën para disa muajsh e dorëzoi në Parlamentin e Ukrainës në Verkhovna Rada, me të cilën kërkon njohjen e Kosovës, është ende është në fuqi dhe pret të shqyrtohet.

Prandaj me këtë peticion, thotë ai, së bashku me opinionin po kërkon nga presidenti i Ukrainës që më në fund të marrë një vendim për Kosovën.

“Në sfondin e përkeqësimit të situatës në Kosovë dhe politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës, sugjeroj që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të konsiderojë njohjen e sovranitetit shtetëror dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës është njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, si dhe shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s, tha Goncharenko.

Ai shton se që në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk cenon asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar.

“Rusia nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron atë vend serb. Në të njëjtën kohë, propagandistët e Kremlinit thonë se është e nevojshme të organizohet i njëjti rend në Ballkan siç bëri Putini më 24 shkurt në Ukrainë. E përfaqësuesit e partisë së presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë folur për “denazifikimin e Ballkanit”. Rusia, së bashku me Serbinë, po përpiqet të inicojë një luftë, duke i justifikuar veprimet e saj me çështjen kombëtare”, tha Goncharenko.

Deri më sot (19 dhjetor), janë mbledhur më shumë se 4000 vota ukrainase dhe kërkohet identifikimi personal për çdo nënshkrim në internet në peticion. Afati për mbledhjen e 25 mijë nënshkrimeve të nevojshme për kalimin e peticionit skadon për 84 ditë.