Talibanët thonë se kanë vrarë katër rrëmbyes të dyshuar dhe kanë varur trupat e tyre në sheshe publike në qytetin afgan të Heratit.
Shfaqja e tmerrshme erdhi një ditë pasi një zyrtar famëkeq taliban paralajmëroi se ndëshkimet ekstreme si ekzekutimet dhe amputimet do të rifillonin, raporton BBC.
Burrat u vranë në një përleshje me armë pasi dyshohet se kapën një biznesmen dhe djalin e tij, tha një zyrtar lokal.
Banorët vendas thanë se një trup u var nga një vinç në qendër të qytetit.
Wazir Ahmad Seddiqi, një shitës lokal, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se katër trupa u sollën në shesh, njëri u var atje dhe tre trupat e tjerë u zhvendosën në sheshe të tjera në qytet për t’u shfaqur.
Zëvendësguvernatori i Heratit, Maulwai Shair tha se shfaqja e trupave ishte bërë për të penguar rrëmbimet e mëtejshme. Ai tha se burrat u vranë në një përleshje me armë pasi talibanët mësuan se kishin rrëmbyer një biznesmen dhe djalin e tij – të cilët të dy u liruan.
BBC raporton se nuk ka konfirmuar në mënyrë të pavarur rrethanat në të cilat burrat u vranë.
Sidoqoftë, imazhet grafike të shpërndara në mediat sociale duket se tregojnë trupa të përgjakur në pjesën e pasme të një kamioni me një vinç që ngrinte një burrë lart.
Një video tjetër tregoi një burrë të pezulluar nga një vinç me një shenjë në gjoks ku shkruhej: “Rrëmbyesit do të ndëshkohen kështu”.
Që nga marrja e pushtetit në Afganistan më 15 gusht, talibanët kanë premtuar një formë më të butë të sundimit sesa në mandatin e tyre të mëparshëm.
Por tashmë ka pasur raporte të shumta për abuzime të të drejtave të njeriut të kryera në të gjithë vendin.







