Talibanët rrëmbejnë gabimisht 6 gazetarë afganë

Talibanët i kanë rrëmbyer gjashtë gazetarë afganë në provincën Paktia të Afganistanit. Një zëdhënës i grupit të armatosur tha se ata janë rrëmbyer gabimisht.

Gazetarët ishin duke marrë pjesë në një takim pune të medieve në provincën fqinje, Paktika, e cila shtrihet në pjesën lindore të Afganistanit.

Ata u rrëmbyen gjatë kohës kur ishin duke u kthyer nga ky organizim.

Gazetarët e rrëmbyer punojnë për organizata mediale private dhe qeveritare, të cilat transmetojnë lajme në gjuhët Pashto dhe Dari.

“Po, luftëtarët tanë i kanë rrëmbyer gazetarët gabimisht. Tash për tash, shërbimet e komunikimit nuk janë duke punuar, por ata do të lirohen posa të vendosim kontakte me komandantin lokal”, tha një zëdhënës i talibanëve.

Për më tepër, guvernatori i kësaj province ka thënë se janë duke bërë përpjekje të negociojnë me talibanët për lirimin e gazetarëve.

Ky rrëmbim erdhi në kohën kur po zhvillohen negociatat e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, të cilat pritet të sjellin rezultate së shpejti.

Dy palët shpresojnë të arrijnë marrëveshje që do ta sillte fundin e luftës së gjatë përmes tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani dhe ndërprerjen e sulmeve terroriste nga militantët, shkruan “Independent”.

loading…