Talibanët kërkojnë e-mailat e qeverisë së rënë, Google i bllokon llogaritë

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Google, ka bllokuar përkohësisht një numër të pasaktësuar të adresave elektronike të qeverisë afgane, tha për agjencinë Reuters një person i afërt me këtë çështje.

Disa javë pas ndryshimit të pushtetit në Afganistan dhe pas largimit të trupave të huaja, është raportuar se si bazat biometrike të të dhënave dhe të dhënat rreth pagesave mund të shfrytëzohen nga pushtetarët e rinj për t’i ndjekur armiqtë e tyre.

Përmes një deklarate të premten, Google nuk konfirmoi që llogaritë e qeverisë afgane janë duke u bllokuar, duke thënë se kompania është duke e vëzhguar situatën në Afganistan dhe “duke marrë masa të përkohshme për të siguruar llogari përkatëse.”

Një punëtor i qeverisë së kaluar afgane i tha agjencisë Reuters se talibanët po mundohen që të sigurojnë qasje në adresat elektronike të ish-zyrtarëve.

Në fund të gushtit, punëtori tha se talibanët kanë kërkuar nga ai që t’i ruajë të dhënat që ndodhen në serverët e ministrisë në të cilën punonte.

“Nëse veproj kështu, atëherë ata do të kenë qasje në të dhënat dhe komunikimet zyrtare të udhëheqësisë së kaluar të ministrisë”, tha ai. Punëtori tha se nuk i është bindur kërkesës së talibanëve dhe tashmë është fshehur.

Sipas të dhënave publike, mbi 20 organe qeveritare afgane i kanë shfrytëzuar serverët e kompanisë Google për dërgesa zyrtare elektronike. Në këto organe përfshihen Ministria e Financave, Ministria e Industrisë, Ministria e Arsimit të Lartë dhe Ministria e Minierave. Edhe zyra afgane për protokoll presidencial dhe disa organe lokale qeveritare e kanë përdorur Google.