Talebanët nuk e kanë marrë ende kontrollin e të gjithë Afganistanit! Ja provinca e vetme që është zotuar t’i rezistojë

Prej më shumë se një jave, talebanët kanë marrë kontrollin në Afganistan, por Lugina e Panjshirit është zotuar që nuk do t’i dorëzohet.

Rezistenca e këtij rajoni ndaj grupit militant ka nisur që para disa dekadash. Megjithatë, ditën e sotme, talebanët thanë se kishin marrë nën kontroll tre rrethe në Luginën e Panjshirit.

Ku është Lugina e Panjshir?

Lugina e Panjshirit, rreth 150 kilometra (rreth 93 milje) në veri të Kabulit, është epiqendra e luftës guerile afgane.

Lugina i ka rezistuar ushtrisë së Perandorisë Britanike që nuk ishte në gjendje të depërtonte në rajon gjatë përpjekjes së saj për të marrë Afganistanin në shekullin XIX.

Ndërsa në vitet 1980, luftëtarët që mbronin luginën nën udhëheqjen e Ahmad Shah Massoud arritën të mbanin larg forcat sovjetike, edhe pse Bashkimi Sovjetik kontrollonte Kabulin dhe zona të mëdha të pjesës tjetër të vendit.

Peizazhi i Luginës së Panjshir luan një rol në mbrojtjen e tij. Forcat vendase kanë shfrytëzuar vendndodhjen e largët si një avantazh ndaj pushtuesve të mundshëm pasi ndodhet thellë në vargmalin Hindu Kush dhe për të shkuar atje mund të kalohet vetëm përmes një gryke të ngushtë. Para marrjes së Afganistanit nga talebanët, udhëheqësit e provincës Panjshir i bënë thirrje qeverisë afgane në Kabul që t’u jepte atyre më shumë autonomi.

A do të marrin talebanët kontrollin e Panjshir?

Të hënën, talebanët pretenduan se kishin kapur tre zona të Luginës Panjshir. Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid bëri një postim në Twitter duke thënë se “Banu, Bel Hisar dhe De Salah u pastruan plotësisht nga e keqja.”

Ai shtoi: “Emirati Islamik kërkon të zgjidhë krizën në mënyrë paqësore”.

Gjatë fundjavës, talebanët transferuan përforcime në rajon, duke i bërë thirrje Aleancës Veriore dhe udhëheqësve të saj që të dorëzoheshin.

Një zëdhënës tjetër i talebanëve, Suhail Shaheen, tha: “Pushtimi i Panjshirit me forcë do të jetë opsioni i fundit pasi kjo është kundër politikave tona. Ne do të përpiqemi të bëjmë çmos që të mos përdorim atë mënyrë.”

Grupi militant njoftoi përmes llogarisë së tij në Twitter se luftëtarët po i drejtohen zonës pas refuzimit të autoriteteve lokale për ta dorëzuar atë paqësisht. Që prej marrjes së pushtetit prej talebanëve, mijëra vetë u nisën drejt Panjshirit ku po organizohet rezistenca kundër regjimit të ri.

AFP thotë se në këtë rajon, Ahmad Massoud, djali i komandanti legjendar anti-taleben Ahmad Shah Massoud, mendohet të ketë grumbulluar një forcë prej gati 9000 vetësh, të gatshëm të luftojnë deri në pikën e fundit të gjakut. Ata kanë nisur të stërviten e kanë mbledhur edhe një sërë pajisjesh ushtarake, përfshirë dhe autoblinda.

“Talebanët nuk do të rezistojnë gjatë po vazhduan ne rrugën e dhunës. Ne jemi gati të mbrojmë Afganistanin dhe paralajmërojmë se do të derdhet gjak i madh”, tha Massoud, i quajtur ndryshe “Luani i Panjshirit”.