Talebanët drejt kontrollit të plotë të Afganistanit, Ambasada Amerikane nis evakuimin e stafit

Talebanët janë drejt kontrollit të plotë të Afganistanit, pasi në duart e qeverisë ka mbetur tanimë vetëm kryeqyteti Kabul.

Të dielën militantët morën pa luftë kontrollin e Jalalabad, një qytet kyç në Lindje të vendit.

Mandej ata morën bastionin verior të qeverisë së Mazar-i-Sharif. Rrëzimi i shpejtë i forcave qeveritare e ka lënë Presidentin Ashraf Ghani nën presion në rritje për të dhënë dorëheqjen.

Ndërkohë, SHBA ka filluar evakuimin e anëtarëve të stafit nga ambasada e saj në Kabul. Të dielën në mëngjes ata u dërguan në aeroport, ku u panë të hipnin në gjashtë aeroplanë të mëdhenj të transportit ushtarak.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur 5,000 trupa për të ndihmuar në operacion.

Gjithashtu pritet që dhe ambasadori britanik të largohet nga Kabul për sigurinë e tij.

Forcat e Armatosura Gjermane po përgatiten gjithashtu të evakuojnë diplomatët dhe civilët gjermanë, si dhe bashkëpunëtorët afganë dhe zyrtarë nga Afganistani nën roje të rreptë.