Taksa: Thaçi e Haradinaj kërkojnë mbajtjen e saj, Veseli pezullimin!

Kreu i vendit, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, ndërkaq sa i përket taksës, ai thotë se ky vendim ka qenë i drejt dhe legjitim dhe se duhet të mbetet në fuqi, ndërsa ka kërkuar që Serbia ta njohë Kosovën pa kushte.

Ky mund të quhet një qëndrim i ri i presidentit, pasi që kohë më parë edhe ai angazhohej që taksa të pezullohej.

Mirëpo, në qëndrim për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe ka mbetur kryeparlamentari, Kadri Veseli, shkruan Ballkani.info.

Ai vazhdon të jetë tashmë zëri i vetëm në institucionet e vendit që kërkon pezullimin e taksës në mënyrë që dialogu me Serbinë të rifillojë.

Kundër pezullimit të taksës nga fillimi ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj

“Pozicioni i Kosovës në të dy prezentimet edhe në pjesën e parë të takimit edhe në pjesën e dytë që e kam prezantuar ka qenë shumë i qartë. Dialogu Kosovë-Serbi mund të vazhdojë i pakushtëzuar. Taksa ka qenë vendim i drejtë, legjitim dhe duhet të mbetet në fuqi, përkundrazi nëse Serbia e vazhdon të sillet në mënyrë edhe më agresive duhet të shkojmë edhe më tutje dhe theksoj se ai vendim, ai propozim edhe i Z. Hoxhaj me 10 për qind edhe 100 për qind i Z. Veseli, kanë qenë vendime plotësisht të drejta të aprovuara nga Qeveria e Kosovës dhe kanë bashkuar skenën politike kosovare në këtë drejtim”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Serbia duhet të njoh Kosovën, pa kushte, por në të këtë proces, siç tha ai, duhet përgjegjësi më e madhe dhe adresim edhe nga vetë BE. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpreson se në një të ardhme të afërt do të bëhet liberalizimi i vizave, në të kundërtën ai paralajmëroi se kjo do të ishte një padrejtësi dhe zhgënjim i madh për qytetarët e vendit. /Ballkani.info/