Taksa ndaj mallrave serbe, Surroi: Ndali copëtimin e Kosovës

Publicisti kosovar, Veton Surroi, në një intervistë për RTV Ora, kritikoi Hashim Thaçin në rolin e tij si negociator në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, Thaçi nisi një aventurë në këtë proces duke diskutuar tezën e ndarjes territoriale. Por, sipas Surroit, aventura e tij u ndal nga vullneti i partive politike, ndërsa u shpreh se tashmë dialogu është në një fazë të re.

“Tani kemi të bëjmë me një fazë të re në politikën kosovare. Kemi jo vetëm një qeverisje të re, por dhe një formë të qeverisjes së re. Derisa sa të konsolidohet, është e vështirë që menjëherë të futen në proces negociator. Nga ana tjetër kemi të bëjmë me një përpjekjeje jo të suksesshme negociatore të udhëhequr nga BE, që degjeneroi me zonjën Mogherini dhe hyri në autonominë territoriale serbe ose këmbim territoresh. Ky proces u ndalua me vullnetin konsesual të partive politike kosovare, që ndaluan Presidentin Thaçin të futej më tutje në këtë aventurë. Tani jemi në fazë të riformatizimit të procesit negociator”, tha Surroi.

Surroi thotë se duhet të konsolidohen vizionet e përbashkëta të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe klasës politike në Kosovë për dialogun me Serbinë.

I pyetur nëse dialogu duhet të udhëhiqet nga Presidenti Hashim Thaçi, Veton Surroi shprehet se ai ka kohën që të mos angazhohet më në këtë proces, pasi shkoi nga një dështim në tjetrin.

“Duhet të konsolidohen vizionet e përbashkëta të BE dhe SHBA dhe të ndërtohet një pikëpamje e përbashkët të partive politike kosovare. Në masë të madhe nuk kemi një kundrim të përbashkët të partive, qoftë të SHBA dhe BE, madje as brenda BE nuk e kemi një kundrim të përbashkët mes shteteve të ndryshme. Tashmë Britania, që ka qenë pjesë e rëndësishme, tashmë nuk është më pjesë e BE. Sa i përket Kosovës, është e qartë që duhet të ketë një bashkërenditje mes partive në pushtet dhe opozitë. Thaçi shkoi nga një dështim në tjetrin. Tani ka kohën që të mos angazhohet më. Nuk duhen krijuar pritshmëri të mëdha se përpiqet të dinamizohet procesi. Jo domosdoshmërisht procesi do të shkojë më mirë dhe më shpejt. Unë mendoj se kjo është një mbufatje artificiale që bëhet nga Thaçi për nevoja personale. Çdo vit thotë se duhet të mbarojë për disa muaj. Nuk është çështje të leximit të Kushtetutës. Thaçi i ka zhvilluar në formë të dëmshme negociatat për Kosovën. I ka hapur rrugën Serbisë për territore në Kosovë. Dhe problemi i dytë, zoti Thaçi ka zhvilluar negociata paralelisht me ndërtimin e Gjykatës Speciale. Kjo e ka dëmtuar kapacitetin negociator të Thaçit e të Kosovës në përgjithësi. Është e vështirë të bëhen paralelisht dy proces – të bëhen negociatat me Serbinë dhe të ndërtohet një sistem drejtësie me gjykata të veçanta që supozohet që do të ndjekë ata që merren me negociatat me Serbinë, siç rasti me zotëri Thaçin”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Veton Surroi tregon edhe se si duhet të jetë procesi i dialogut. Sipas tij, gjithçka duhet të niset nga parametrat e konfliktit të pambaruar midis Kosovës dhe Serbisë, që të shkohet te marrëveshja e paqes.

“Ky proces kërkon suplemente artificiale, t’i hyhet në formë serioze, që niset nga parametrat e konfliktit të pambaruar që ai konflikt të mbarojë me një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Ende nuk ka formula, jemi në fazën e kërkimit për pikat ku mund të ndërtohet procesi negociator. Duhet të ulet pushteti dhe opozita për të bashkërenduar pikat për negociatat. Në këto muaj në vijim mendoj se është ideale për këmbim mendimesh mes Kosovës dhe shteteve të perëndimit. Serbia ka zhvilluar luftë kundër Kosovës, ajo luftë nuk ka mbaruar me marrëveshje paqeje. Duhet shkuar te marrëveshja e paqes”, theksoi ai.

Lidhur me rolin e të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për ndërmjetësimin e dialogut, Richard Grenell, Veton Surroi shprehet se duhet shfrytëzuar energjia pozitive. Sipas tij, angazhimi i SHBA-së në këtë proces, nuk duhet të shfrytëzohet për marrëveshje që nuk meritojnë gjithë këtë energji, ku si shembull ai referon marrëveshjen e linjës ajrore direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, nënshkruar në Berlin disa javë më parë.

“Unë mendoj se duhen shfrytëzuar energjitë e njerëzve që merren me çështjen e Kosovës. Është lajm i mirë që SHBA angazhohet. Do të ishte mëkat të shfrytëzohej energjia e SHBA për marrëveshje që nuk e meritojnë, siç ështe rasti i marrëveshjes së fluturimeve. Nuk mund të bëj vlerësime në bazë të cicërimave në Tëitter. Unë mendoj se ka nevojë për dialog. Me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të diskutojmë me cicërima”, deklaroi publicisti Veton Surroi.

Taksa ndaj mallrave serbe, Surroi: Ndali copëtimin e Kosovës

Publicisti Veton Surroi komentoi taksën 100% të vendosur nga qeveria Haradinaj ndaj mallrave serbe. Në intervistën dhënë RTV Oras, ai u shpreh se taksa i shërbeu ndaljes së planit për copëtimin e Kosovës.

“Taksa është vendosur në kohën kur është dashur të pengojë ndarjen e territoreve të Kosovës, dhe ka bërë mirë. Procesi është i menduar mirë që i shikon gjërat në evolucion. Po të pyesësh çdokënd nëse do heqjen e taksës, është normale që taksa është arbitrare. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është të kenë hapësirë të tregtisë së lirë”.

“Unë nuk mendoj se duhet të krijohet baraspeshë. Veprimet e Serbisë janë të dukshme dhe të dëmshme dhe te fushata e çnjohjeve. Problemi elementar është a ka ndërmend Serbia të negociojë me Kosovën si palë e barabartë. Kjo është çështja kryesore. Sa do të ketë tolerancë ndaj ndërhyrjes së Serbisë në sovranitetin e Kosovës. Ne vetë ia kemi hapur derën Serbisë në procesin negociator. Thaçi ka një përgjegjësi të madhe. Tani është faza e rigjenerimit”, theksoi ndër të tjera Veton Surroi.