Takimi në Ohër, vendimtar për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar afatet e aktiviteteve, si dhe ka miratuar planin operacional për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit. E dita e fundit e aplikimeve është data 18 mars, pikërisht datë kjo ku do të zhvillohet takimi në kuadër të dialogut ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, sipas afateve, zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës do të duhej të mbahen me 24 prill. Mirëpo, kjo do të varet nga situata politike.

Rrjedhimisht nëse nënshkruhet udhërrëfyesi i planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 marsit që do të zhvillohet në Ohër.

Edhe serbët në veri kanë vlerësuar se zgjedhjet në komunat veriore do të varet nga dialogu ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe nga ajo se çfarë do të sjellë propozimi i BE-së për normalizimin, për të cilin palët janë pajtuar.

Çka ndodhë nëse nuk mbahen zgjedhjet?

Në rast se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, nuk merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës, rezultati i zgjedhjeve mund të jetë legal por me legjitimitet të kontestuar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të vendit, si dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, të cilat ishin shpallur të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, janë shtyrë me vendimin e presidentes Vjosa Osmani, pas kërkesave të partnerëve perëndimorë.

Asokohe, për zgjedhjet për kryetarë të komunave ishin certifikuar 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilave vetëm dy kandidatë ishin nga radhët e komunitetit serb. Gjithashtu, për garën për kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit ishin certifikuar 64 kandidatë nga tri subjekte politike.

Lista Serbe kishte refuzuar të merrte pjesë në këto zgjedhje. Ky ishte paralajmërim se edhe votuesit serbë nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në votim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore u shpallën pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri, të gjithë nga Lista Serbe, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Dorëheqje dhanë edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, por që më pas, brenda afatit ligjor, ata u zëvendësuan nga nëntë deputetë të po këtij subjekti politik dhe një nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Serbët e veriut të Kosovës, në mënyrë kolektive braktisën pozitat e tyre edhe në institucionet tjera, duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin. /Paparaci