Takimi Kurti-Vuçiq, Hoti përkujton pesë çështje

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka radhitur disa vërejtje për qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun me Serbinë, derisa ky i fundit është duke e zhvilluar takimin e radhës në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Hoti ka thënë se Kurti nuk po raporton për dialogun në Kuvend, ashtu siç kishte kërkuar vetë ai.

Deputeti i LDK-së ka shkruar se Kurti nuk ka prezantuar as ndonjë platformë të dialogut në Kuvendin e Kosovës.

Postimi i plotë i Hotit:

Sot po mbahet takimi në kuadër të dialogut me palën serbe në Bruksel. Disa çështje për përkujtim për të gjithë:

  1. Raportim për dialog në Kuvend nuk është bërë siç kërkohet me rezolutën e propozuar nga vetë ata që tani po dialogojnë, e cila rezolutë thotë se “Kryeministri duhet të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel”.
  2. Platformë për dialog nuk është prezantuar në Kuvend, ku do të përcaktoheshin parimet dhe objektivat e dialogut. Në vend të kësaj, janë prezantuar katër pika në një konferencë për medie në Bruksel, të cilat në fakt e ruajnë “status quo” sa i përket marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për të cilën gjë është e interesuar pala serbe.
  3. Kërkim falja nga pala serbe para se të nisë dialogu është harruar.
  4. Kushtëzimi i dialogut me zbardhjen e fatit të të pagjeturve është harruar.
  5. Masat e reciprocitetit, që ishin çështje javësh pas formimit të qeverisë, janë harruar.