Takimi Kurti-Haradinaj| Qeveria i quan “testime” idetë perëndimore për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës i quan “sprova dhe testime” idetë për marrëveshjen Kosovë-Serbi që po qarkullojnë nga shtetet perëndimore.

Në një komunikatë për media të kryeministrisë të premten pas takimit që ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, thuhet se Kurti dhe Haradinaj diskutuan për këto opsione.

“Në këtë takim përmbajtësor në të cilin Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, u diskutua për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti e ka njoftuar Haradinajn edhe për takimet në Brukel dhe Prishtinë duke deklaruar se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke në qendër.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë para mediave pas takimit se marrëveshja finale me Serbinë duhet ta ketë patjetër vulën e SHBA-së.